Biskotat të gjithë i mendojmë të ëmbla, me sheqer pluhur, copa çokollate apo fruta të thata.

Por AgroWeb.org ju tregon se mund t’i përgatisni edhe të kripura për një shije krejtësisht të re.

Receta e sotme ju jep mundësinë të dilni nga kornizat e kulinarisë dhe të përgatisni diçka vërtetë fantastike në shije.

Me djathë dhe borzilok, këto biskota janë të veçanta dhe do të kthehen në të preferuarat tuaja.

Përbërësit

160g miell

100g djathë kaçkavall i grirë

20g borzilok

110g gjalpë i ftohtë

1 vezë

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë duhet të filloni me përgatitjen e borzilokut.

Në një enë qelqi hidhni gjethet e borzilokut dhe vezët dhe mundohuni t’i bluani me grirësin elektrik.

Pas 2-3 minutash do të krijohet një pastë e plotë e cila do t’ju duhet gjatë përgatitjes së brumit të biskotave.

Ndërkohë AgroWeb.org ju sugjeron që në një tas të madh të hidhni miellin dhe më pas të shtoni djathin kaçkavall.

Gjalpi për këtë recetë duhet i ftohtë, mjafton ta keni prerë në kubikë të vegjël dhe ta hidhni tek tasi.

Nisni ta punoni me duar miellin, gjalpin dhe djathin kaçkavall.

Brumi do të marrë formën e thërrimeve të mëdha të cilat ndërkohë që ju i punoni bashkohen me njëra tjetrën.

Për t’i dhënë brumin formën përfundimtare shtoni dhe vezën që rrahët me borzilokun.

Punojeni përsëri derisa të keni krijuar një brumë të plotë dhe të butë.

Më pas mbështilleni me qese kuzhine de lëreni që të pushojë për 20 minuta në frigorifer.

PAsi të ketë kaluar koha e nevojitur nxirreni brumin nga frigoriferi dhe hapeni në një petë të trashë duke përdorur pak miell.

Merrni një gotë dhe krijoni forma rrethore me të, nëse keni forma biskotash mund t’i përdorni.

Përdorni të gjithë brumin, nëse ju mbeten anët, mblidheni përsëri, hapeni me petës dhe krijoni përsëri biskota.

AgroWeb.org ju sugjeron që tavën ta shtroni me letër pjekjeje dhe aty të vendosni me largësi nga njëra tjetra biskotat.

Futini për t’i pjekur në furrë të ngrohur me 180 gradë për 25-30 minuta.

Më pas lërini të ftohen pak dhe mund t’i shijoni me familjarët tuaj./AgroWeb.org