Biskotat e përgatitura vet në shtëpi kanë një shije krejtësisht tjetër.

Ato mund t’i shijoni për mëngjes, pas dreke apo edhe pasdite për të ëmbëlsuar ditën tuaj.

Të kombinueshme me mjaltë, çokollatë të shkrirë, reçel dhe sheqer pluhur këto biskota kanë për t’u pëlqyer të gjithë familjes.

Provojini me recetën që ju sugjeron AgroWeb.org dhe do të mrekulloheni me aromën e freskët që i jep lëkura e limonit dhe brumit perfekt me kos.

Përbërësit

300g miell

120ml kos

8g fryrës për ëmbëlsira

50ml vaj ulliri

1 vezë

90g sheqer

Lëkura e një limoni

Përgatitja

Hapi i parë që duhet të bëni për të përgatitur biskotat e shijshme me kos është që të sitni miellin.

Kalojeni atë në një tas dhe shtoni më pas fryrësin e ëmbëlsirave dhe sheqerin.

Pasi t’i keni përzierë pak shtoni vezët dhe më pas kosin.

Filloni ta punoni me ndihmën e një spatula brumin ndërkohë që hidhni vajin pak nga pak.

Kur të shihni që përbërësit janë lidhur, AgroWeb.org ju sugjeron që të grini lëkurën e një limoni dhe ta bashkoni tek tasi.

Tani punojeni me duar brumin për 5-6 minuta derisa ai të jetë i lëmuar.

Në një tavë keni shtruar letrën e pjekjes dhe filloni të merrni pak nga brumi i biskotave dhe t’u jepni formën tuaj të preferuar.

Mund t’i lini si toptha, mund të krijoni cilindra të cilët i palosni, madje mund t’i lini edhe në rombe.

Mjafton që trashësia e biskotave të jetë rreth një centimetër dhe gjithçka është në rregull.

Vendosini mbi tavë dhe futini për t’i pjekur në furrë të ngrohur me 180 gradë për 20-22 minuta.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur largojini nga furra biskotat dhe lërini pak të ftohen në tavë para se t’i kaloni në pjata.

Para se t’i shërbeni mund t’i spërkatni me sheqer pluhur ose çokollatë të shkrirë.

Këto biskota nëse i ruani në një enë me kapak mund të qëndrojnë të freskëta deri në 3-4 ditë./AgroWeb.org