A keni dëgjuar ndonjëherë për bordullakun?

Bordullaku është një bimë shpesh e konsideruar si një barishte ose bar i keq. Por ai ka qenë i pranishëm në shumë kuzhina antike në mbarë botën për mijëra vite me radhë.

Kultura të ndryshme kanë qasje personale në lidhje me përfitimet ushqyese e madje edhe për ato shpirtërore.

E në të vërtetë bordullaku është shumë i mirë për shëndetin. Sipas të dhënave nga AgroWeb.org, ai është mjaft i pasur me vitaminë C dhe Omega 3, pra ky “bar i keq” ia vlen të merret në konsideratë.

Kjo recetë e thjeshtë turke është një sallatë ose një meze e cila është shumë e lehtë për tu përgatitur.

Gjethet e bordullakut shkojnë më së miri me kosin dhe hudhrën e shtypur.

PËRBËRËSIT :

4 gota me gjethe bordullaku

3 gota salcë kos

2 thelpinj hudhër (të shtypur)

1 lugë gjelle vaj ulliri

1/4 lugë çaji kripë

1/4 lugë çaji piper të zi

HAPAT QË DUHET TË NDIQNI :

Fillimisht, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i prisni rrënjët e bordullakut.

Lajeni mirë e mirë atë me ujë të bollshëm dhe sigurohuni të keni larguar çdo papastërti. Mund të përdorni një tas me ujë dhe aty të hidhni një lugë gjelle me kripë apo sodë buke.

Pasi ta keni larë mirë bordullakun ndani gjethet nga kërcelli dhe lërini të thahen mbi një pecetë. Nëse dëshironi mund t’i ruani kërcejtë për të përgatitur receta të tjera.

Ndërkohë vazhdoni me përgatitjen e salcës duke përzier një tas të veçantë salcën e kosit, hudhrën, vajin e ullirit, kripën dhe piperin e zi.

AgroWeb.org ju këshillon që t’i rrihni me telin e kuzhinës për të arritur një masë sa më kremoze.

Kur t’i keni dhënë salcës trajtën e duhur shtoni gjethet e bordullakut dhe përziejini ato me lugë që të mos i prishni formën.

Mund ta shërbeni menjëherë ose mbulojeni dhe lëreni të marinohet. Nëse e lini pak do të vini re se aroma do të jetë më e fortë. Përziejeni ngadalë përpara se ta shërbeni./AgroWeb.org