Tradita e pjekjes së bukës në shtëpi ka për qëllim jo vetëm ofrimin e një shije të pasur e të shëndetshme por edhe të bashkojë familjen në tryezë.

Pavarësisht formës apo madhësisë, përgatitja e bukës së përditshme në shtëpi është edhe një aktivitet përmbushës në kuzhinë.

Amvisat e Ballkanit Perëndimor kanë reputacion të lartë për krijimin e bukëve më të shijshme në të gjithë kontinentin.

Në të gjithë rajonin tonë, gjenden receta nga më të larmishmet për gatimin e bukëve.

Kjo që po lexoni sot në AgroWeb.org, vjen nga Maqedonia e Veriut.

Përbërësit:

  • 100 ml ujë
  • 100 ml qumësht
  • 50 ml vaj
  • 10 gramë farë të freskët buke
  • Gjysmë luge çaji kripë
  • Gjysmë luge çaji sheqer
  • 450 gramë miell
  • 1 të verdhë veze
  • Fara susami

Përgatitja:

Puna e parë që duhet të bëni është të tresni farën e bukës në ujë, bashkë me sheqerin dhe më pas të përgatisni brumin e butë dhe pa kokrriza me të gjithë përbërësit.

Si fillim mund të përdorni një misker brumi dhe më pas ta përfundoni atë dorazi.

Vendoseni brumin në një enë të thellë, lyejeni mirë me vaj dhe mbulojeni me qese plastike për të paktën një orë.

Kur brumi të ketë ardhur, nxirreni nga ena dhe punojeni sërish me duar për 20 sekonda duke i dhënë formën e topthit.

Përdorni petëzin tuaj për ta përhapur bruin në formë ovale dhe më pas transferojeni në tavën e pjekjes ku keni shtruar letrën për pjekje.

Mbulojeni tavën sërish me letër plastike dhe lëreni mënjanë për 20 minuta të tjera.

Më pas, brumin e bukës lyejeni me të verdhën e vezës, spërkateni me fara susami dhe pak kripë dhe shpojeni disa herë me pirun.

Futeni në furrë dhe piqeni në 200 gradë për rreth 15 minuta ose edhe më shumë sipas nevojës.

Kjo bukë e sheshtë shijon shumë duke u shoqëruar me receta tradicionale, sallatë, perime, kos apo edhe mish./AgroWeb.org