Kjo është një recetë fanatstike që shijon në çdo kohë e të mrekullon me kombinimin e saj mes bukës së misrit të përgatitur në shtëpi dhe ajkës.

Zakonisht, kjo është një nga pjatat kryesore të preferuara të servirura në çdo restorant me gatime tradicionale.

Por e përgatitur në shtëpi, shija e saj është më e mrekullueshme.

Përgatitja e Bukës së Misrit në Ajkë

Përbërësit

1 kg miell misri

700 ml ujë i ngrohtë

3 lugë vaj ulliri

1 lugë gjellë kripë

Për Ajkën  

 4-5 lugë gjelle ajkë kosi (e gjeni në dyqanet e bulmetit)

4-5 lugë gjelle ajkë qumështi (e gjeni në dyqanet e bulmetit)

Kripë

2-3 thelpinj hudhra

Përgatitja

Në një enë të pastër hedhim 1 kg miell misri bashkë me pak vaj ulliri.

Më pas shtojmë pak ujë të ngrohtë, por më parë sigurohemi që të mos jetë i përvëluar.

Sipas traditës së gjysheve tona, ngrohtësia e ujit duhet të jetë e përballueshme aq sa ta durojmë nëse e provojmë me gishtin e vogël të dorës.

Hedhim ujin në enën ku kemi miellin e misrit dhe vajin e ullirit.

Më pas hedhim dhe një lugë gjelle kripë dhe i përzjejmë me një lugë druri.

Më pas shtojmë pjesën tjetër të ujit të ngrohtë dhe vijojmë të përziejmë derisa të kemi një masë të njëtrajtshme.

Në vijim, masën e përftuar e shtrojmë në tavë apo në një tepsi të vogël, të cilën më parë e kemi lyer me vaj ulliri.

Pasi hedhim masën në tavë dhe e hapin në mënyrë të njëtrajtshme, lyejmë me një furçë me pak vaj ulliri edhe pjesën e sipërme.

Tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 40 minuta.

Kur piqet, buka e misrit merr një ngjyrë të artë, të praruar me disa nuanca portokalli të errët.

Ndërkohë në një tas, bashkoni ajkën e kosit dhe qumështit, shtoni kripën dhe hudhrat e shtypura, përzjeini mirë të gjitha bashkë.

Nëse nuk keni ajkë kosi dhe qumështi, mund të përdorni kos të thjeshtë dhe qumësht sipas masave dhe procesit të mësipërm.

Bukën e misri pasi të jetë ftohur pak, prijeni në feta të vogla drejtkëndore dhe zhyteni në masën e ajkës që keni përgatitur dhe shijojeni. /AgroWeb.org