Petë, djathë i bardhë dhe spinaq është kombinimi përfekt, por bëhet akoma dhe më i mirë kur provoni recetën e radhës që AgroWeb.org ka për ju.

Byreku në tigan, është një traditë e vjetër e kuzhinës së vendeve të lindjes.

Në rastet kur nuk ju pritet shumë gjatë për të shijuar byrekun e pjekur në furrë, kjo recetë ju vjen në ndihmë.

Mjaftojnë vetëm disa përbërës dhe në një kohë farë të shkurtër do të përgatisni një byrek shumë të shijshëm.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë hapat e thjeshtë që duhet të ndiqni përgatitjen e kësaj recete të thjeshtë krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Byrekut në Tigan

Përbërësit

1 pako petë të gatshme

100 g spinaq të freskët

1 qepë e njomë

Kopër

100 g djathë i bardhë i thërmuar

Kripë

Piper i zi

4 lugë gjelle me qumësht

2 lugë gjelle me vaj ulliri

Përgatitja

Mjafton që t’i keni nxjerrë nga frigoriferi petët para se të nisni përgatitjen e recetës, kështu ato do të shkrijnë.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju udhëzon të shpëlani spinaqin me ujë të bollshëm dhe pasi ta keni tharë plotësisht me letër kuzhine priteni në copëza jo shumë të imta.

Qepën e njomë duhet ta prisni në rrathë të vegjël, duke përfshirë dhe pjesën e gjelbërt. Grini dhe koprën dhe të dy përbërësit shtojani spinaqit.  Në fund shtoni dhe thërrimet e djathit të bardhë, kripë dhe piper sipas dëshirës.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes me kripën, duke qenë se djathi ka një sasi të saj.

Petët duke qenë se janë të gatshme, thahen shumë shpejt duke e bërë byrekun jo shumë të butë. Kështu mjafton që t’i spërkasni me vaj ulliri dhe qumësht dhe ato do të jenë pothuajse si petët e përgatitura vetë.

Në një tigan pak të madh të lyer me pak gjalpë dhe një lugë gjelle vaj ulliri vendosni petën e parë, spërkateni me qumësht dhe vaj, dhe më pas vendosni të dytën. AgroWeb.org ju këshillon që ato të jenë të kryqëzuara, kështu mbushja nuk do të derdhet.

Nëse petët dalin nga tigani, mos i prisni pasi do të duhen për mbylljen e byrekut.

Merrni dhe një petë tjetër dhe priteni në mes, dhe vendoseni përsëri duke e spërkatur secilën prej tyre me qumësht dhe vaj.

Më pas hidhni gjysmën e mbushjes së përgatitur duke e përhapur në mënyrë të barabartë në të gjithë sipërfaqen e petës. Ndiqni përsëri hapat e mësipërm dhe për tre gjysmat e tjera të petëve.

Shtoni dhe pjesën e mbetur të mbushjes, dhe vazhdoni të vendosni petët e tjera, duke mos harruar t’i spërkasni me qumësht dhe vaj.

Në fund palosni petët që dalin nga anët e tiganit, duke i lyer me qumësht dhe vaj, kështu do të qëndrojnë të mbyllura kur byreku të skuqet.

Me pjesën e mbetur të vajit dhe qumështit, lyeni dhe sipërfaqen e tij. Me ndihmën e një luge, shtypini pak anët e byrekut, në mënyrë që të marrin një formë rrethore.

Skuqeni byrekun në zjarr të mesëm për 5-7 minuta nga secila anë, ose derisa të ketë marrë ngjyrën e artë.  Për të kthyer byrekun nga ana tjetër, mjafton të përdorni një pjatë të madhe të cekët.

Vendoseni sipër byrekut dhe kthejeni duke treguar kujdes që të mos digjeni. Pastaj nga pjata kalojeni përsëri në tigan për ta skuqur dhe nga ana tjetër.

Nëse e shikoni që byreku nuk është skuqur mjaftueshëm, kthejeni disa herë, derisa të arrijë ngjyrën dhe pjekjen e duhur.

AgroWeb.org ju këshillon që zjarrin ta mbani relativisht shumë të ulët, kështu do t’i jepni kohë mbushjes për t’u bërë. Nëse zjarri është shumë i lartë, do të skuqen vetëm petët e byrekut, dhe brenda do të mbetet i pabërë.

Ky byrek mund të përgatitet me mbushje të ndryshme. Nëse e preferoni vetëm me djathë të bardhë, me mish të grirë apo dhe me gjizë dhe vezë. Mjafton që të zëvendësoni produktet e mësipërme me ato që dëshironi.

Ky byrek shoqërohet me kos të freskët ose dhallë, apo dhe sallata me perime të stinës./AgroWeb.org