Byreku është një nga gatime më tipike shqiptare. Nuk ka amvisë që të mos dijë ta përgatisë të pakën një nga versionet e tij të shijshme.

AgroWeb.org gjithmonë është munduar që të sjellë tek ju recetat klasike të përgatitjes së byrekut, por edhe disa që nuk i përkasin traditës sonë.

Receta e stome është një prej tyre. Edhe pse ne nuk jemi mësuar që petët e byrekut t’i përgatisim në këtë mënyrë, duhet ta provoni sa i mirë del.

Me butësi perfekte dhe aromë fantastike, ky byrek do t’ju pëlqejë me patjetër.

Përbërësit

2 vezë

1 gotë e gjysmë uji me qumësht

Gjysmë gote uji me vaj ulliri

1 lugë çaji kripë

5-6 gota uji miell

3 gota uji me djathë të bardhë të thërrmuar

Për hapjen e petëve përdorni 100g niseshte

1 gotë uji me gjalpë të shkrirë

1 gotë uji me qumësht të ftohtë

1 gotë e gjysmë ujë

Përgatitja

Në një tas hidhni qumështin, vezët, kripën dhe vajin dhe rrihini fortë me telin e kuzhinës.

Tani është koha që të shtoni pak nga pak miellin.

AgroWeb.org ju këshillon që miellin ta hidhni duke përdorur lugë, kështu nuk do të nguteni dhe brumi do të dalë elastik.

Pasi brumi të jetë lidhur kalojeni në tavolinën e punës dhe filloni ta punoni lehtë me duar.

Mjafton që sipërfaqja e tij të jetë e lëmuar dhe jo e ngjitshme.

Ndajeni brumin në tri pjesë, dhe secilën nga pjesët ndajeni në 20 kuleçë të vegjël.

Merrni niseshtenë dhe nisni me hapjen e kuleçëve.

Mundohuni që t’i hapni me madhësinë e pëllëmbës suaj.

Bashkojini që të gjitha petat e vogla dhe hapini në një të vetme.

Ndërkohë lyeni mirë me gjalpë tavën dhe shtroni aty petën e parë.

Tani, AgroWe.org ju sugjeron që të shtoni djathin e bardhë të thërrmuar, duke krijuar një shtresë të plotë.

Vazhdoni kështu edhe për dy petat e dytë, dhe kur ta shtroni lyejeni me gjalpë të shkrirë sipër.

Hidhni përsëri djathë dhe mbulojeni me petën e fundit.

Tani priteni byrekun me një thikë në formën e bakllavasë.

Me një lugë hidhni të gjithë sasinë e gjalpit të shkrirë mbi byrekun e prerë.

Piqeni byrekun në furrë të parangrohur me 180 gradë, duke e vendosur telin e furrës në shkallën e fundit.

Kur byreku të ketë marrë një ngjyrë të artë, pra pas 45-50 minutash, nxirreni nga furra dhe hidhni përzierjen me qumësht dhe ujë.

Futeni përsëri në furrë për ta pjekur edhe për 30-40 minuta të tjera.

Byreku do të ketë një shije perfekte dhe aromë shumë të mirë./AgroWeb.org