Byreku është padyshim ndër gatimet më të preferuara, tradicionale mes shqiptarëve.

Mbushja e tij është thelbësore për shijen.

Byreku mund të bëhet me djathë, gjizë, presh, qepë, fasule, domate, mish të grirë, karrotë e ç’të të dojë zemra.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni si të përgatisni një byrek të vetëm me tre mbushje të ndryshme e po aq ngjyra.

Përbërësit:

Peta të gatshme

500 gramë spinaq të copëtuar,

200 gramë mish viçi të grirë,

200 gramë djathë të bardhë,

2 thelbinj hudhër,

3 karrota të grira,

1 vezë,

Kripë dhe piper

Vaj ulliri.

Përgatitja:

Ndizeni furrën në 180 gradë.

Në një tas, rrihni vezën bashkë me një lugë vaj ulliri dhe lëreni mënjanë.

Në një tigan ngrohni një lugë gjelle vaj ulliri, shtoni spinaqin dhe hudhrën.

Më pas shtoni kripën dhe piperin.

Kavërdisini së bashku për 5 minuta dhe lërini mënjanë.

Në të njëjtin tigan, kavërdisni karrotat e grira duke i pasuruar me kripë dhe piper për disa minuta.

Hiqini ato nga tigani dhe tani vjen radha e mishit të grirë.

Skuqeni atë duke e shoqëruar me kripë dhe piper.

Hapni një petë të gatshme dhe lyjeni me pak vaj.

Shtoni mbushjen e spinaqit dhe mbështilleni në formë roleje.

Petën tjetër mbusheni me karrota dhe të tretën me mishin e grirrë e të skuqur.

Hapni një petë tjetër, hidhni djathë dhe vaj ulliri dhe në të vendosni tre roletë (sipër njëra tjetrës) me spinaq, karrotë dhe mish.

Mbështillini me petë dhe jepini byrekut formën drejtkëndore.

Sipërfaqen e byrekut lyejeni me vezën e rrahur që në fillim.

Byrekun 3-ngjyrësh vendoseni në tepsi dhe futeni atë në furrë.

Lëreni të piqet byrekun për 25-30 minuta.

Kur byreku të jetë pjekur, prijeni atë me thikë dhe do të zbuloni larminë e ngjyrave të përbërësve të përdorur që e bëjnë atë jo vetëm të shijshëm për stomakun por edhe për syrin./AgroWeb.org