Një recetë e vjetër shqiptare e cila në qytete të ndryshme përgatitet në mënyra të ndryshme.

Disa e përgatisin me miell gruri e disa të tjerë me miell misri, disa e pjekin e disa e përgatisin më të lëngshëm çervishin.

Por ajo që nuk ndryshon asnjëherë është shija perfekte e kësaj pjate tradicionale.

Mishi i pulës i përgatitur në këtë mënyrë është shumë i butë dhe plot lëng.

Salca e çervishit nga ana tjetër i jep dhe shijen karakteristike kësaj recete.

Perfekte për të shoqëruar orizin e thjeshtë, sallatat me perime të freskëta apo ato të pjekura.

Në vetëm pak hapa dhe do të mrekulloheni vërtetë me aromën dhe shijen e saj.

Përbërësit

1 pulë

5 lugë gjelle me gjalpë

Një filxhan çaji me miell misri

3-4 thelpinj hudhër

Kripë

Piper i zi

Piper i kuq

Ujë

Majdanoz i freskët

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që pasi të keni pastruar mishin e pulës, priteni atë në copa.

Në zjarr vendosni një tigan dhe aty hidhni 2-3 lugë gjalpë që të shkrijë.

Kur gjalpi të jetë ngrohur vendosni thelat e pulës për t’u skuqur.

Sigurohuni që t’i ktheni nga të dyja anët në mënyrë që skuqja të jetë e njëjtë.

Hidhini kripë dhe piper në mënyrë që pula të marrë shijen e duhur.

Pasi ta keni skuqur largojini nga tigani dhe futini në një tenxhere dhe mbulojini me ujë.

Tenxheren vendoseni në zjarr dhe lëreni të ziejë derisa mishi i pulës të jetë zbutur.

Ndërkohë tek tigani shtoni edhe gjalpin e mbetur dhe filloni të skuqni miellin e misrit.

Kini kujdes që të mos digjet pasi do të hidhërojë shijen e çervishit.

Duke përdorur një garuzhde AgroWeb.org ju sugjeron që të merrni pak nga lëngu i mishit të pulës dhe ta hidhni tek tigani.

Kini kujdes që të përzieni mirë salcën e formuar që të mos digjeni.

Qëroni thelpinjtë e hudhrës dhe shtojini në tigan.

Shtoni lëngun e mishit dalë ngadalë dhe më pas edhe thelat e mishit dhe lërini pak të avullojë lëngu.

Ndizni furrën në 200 gradë dhe kalojeni të gjithë masën e përgatitur në një tavë qelqi ose balte.

Futeni për ta pjekur derisa pula të ketë marrë një ngjyrë të artë të thellë dhe çervishi të jetë mpiksur.

Nëse nuk e dëshironi shumë të trashë, mund edhe të mos e fusni në furrë për ta pjekur por ta zieni plotësisht në tenxhere.

Pasi të jetë pjekur, nxirreni tavën nga furra dhe spërkateni me majdanoz të freskët të grirë për më shumë shije./AgroWeb.org