Pica është një ushqim i dashur nga të gjithë.

Shija e saj të bën të lëpish gishtat e madje të të hapë menjëherë oreksin sa herë që kujtohemi për të.

Së fundmi, amvisat e kanë përfshirë picën e shtëpisë në menunë  e javës duke ofruar kombinime të thjeshta dhe interesante për të gjithë familjen.

Brumi i picës përgatitet shumë lehtë në shtëpi, madje edhe disa ditë përpara përdorimit.

Ndodh që ai del e tepron, por me të mund të shpalosni fantazinë në kuzhinë sipas këshillave të AgroWeb.org

Simite Me Hudhër

Ekspertët e AgroWeb.org thonë se brumin e mbetur të picës mund ta përdorni për përgatitjen e simiteve me hudhër.

Punojeni brumin, jepini formën e simitit, spërkateni me gjalpë dhe hudhër, ndjekur nga djathë parmixhan, borzilok e rigon.

Simitet futini në furrë dhe piqini deri sa të marrin një ngjyrë të kafenjtë me nuancë të artë.

Krostatë Me Mollë

Brumin e mbetur të picës mund ta përdorni për të bërë një krostatë të shijshme me mollë.

Jepini brumit formën e krostatës, hidhni sipër fetat e mollës, spërkatini me gjalpë dhe sheqer dhe piqini në furrë për 45 minuta.

Krostatën më pas mund ta ndani në copa të mëdha dhe ta servirni në temperaturë ambienti.

Bukë Fokaçe Me Djathë e Qepë

Brumin e mbetur të picës hapeni në një tepsi dhe mund ta transformoni në një fokaçe të shijshme. Mjafton që sipër brumit të hidhni sheqer kaf, qepë, erëza dhe djathë dhe ta piqni në furrë.

Panine Me Kremviçe

Kjo është një recetë e shpejtë dhe e shijshme për të gjithë familjen.

Me brumin e picës mund të bëni disa panine të vogla të mbushura me salçice, hudhër, djathë e mustardë.

Këto panine të vogla do ju ndihmojnë të shuani urinë por edhe të ofroni diçka të re, të thjeshtë e të shijshme në tryezë. /AgroWeb.org