Çorba e Hasit – Receta e Malësive Shqiptare Trashëguar ndër Shekuj

110 0

Çorba e Hasit është një ndër recetat më të vjetra, të trashëguara brez pas brezi të kuzhinës shqiptare, specialitet i malësive shqiptare.

Një pjatë tipike dimërore për të ngrohur organizmin në ditët e ftohta dhe të acarta.

Sot, restorantet tradicionale shqiptare, veçanërisht të zonës së veriut kanë futur këtë recetë si një ndër specialitetet më të mira të kuzhinës shqiptare.

Specialitet që ka lënë pa fjalë turistët e huaj, të cilët kanë shijuar këtë pjatë.

E përgatitur veçanërisht në stinën e dimrit dhe e servirur e ngrohtë, Çorba e Hasit pa dyshim të përfshin tërësisht me shijen e saj.

Ky gatim special shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer sidomos me turshitë e amvisave shqiptare, sallata të freskëta, bukë të thekur, djathra të ndryshëm etj.

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org recetën e vjetër të përgatitjes së kësaj pjate të mrekullueshme dhe dimërore krejt lehtë në shtëpi, një mënyrë fantastike për ta shijuar e ndarë me familjen.

Përgatitja e Çorbës së Hasit në Shtëpi

Përbërësit

300 gr miell misri

4 lugë vaj ulliri

250 gr-300 gr të pjesëve të brendshme të qengjit

2 gota uji me kos

Një kokërr hudhër

Një lugë çaji me kripë

Përgatitja

Të brendshmet e qengjit i lajmë mirë me ujë të rrjedhshëm dhe i lëmë të zjejnë.

Në enë tjetër shtojmë vajin e ullirit. Hedhim miellin e misrit  dhe e trazojmë derisa mielli i  misrit të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Pastaj lëngun e mishit të zjerë e hedhim mbi miellin e skuqur dhe vazhdojmë trazimin derisa masa të marrë trajtën e supës.

E lëmë kështu të zjejë për rreth 10 minuta.

Më pas, të brendshmet e ziera i presim në thela të vogla dhe i hedhim brenda në enën ku po zien mielli me lëng mishi.

I lëmë të ziejnë edhe për 2-3 minuta dhe e heqim enën nga zjarri.

Gatimi i përfunduar mund të përzihet me kos sipas preferencës.

Kjo pjatë është e pasur me vlera ushqyese, proteina, karbohidrate, hekur dhe zink./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje