Ëmbëlsirat gjithmonë janë perfekte dhe na shijojnë shumë.

Edhe pse mjekët këshillojnë që të konsumohen në sasi të vogla, kjo nuk do të thotë që nuk mund të kënaqemi me delikatesën e tyre.

AgroWeb.org ju tregon sot një ëmbëlsirë e cila vërtetë duhet të shijohet në porcione të vogla pasi është pak e rëndë.

Bëhet fjalë për një kek të pasur në shije dhe aromë kakaoje i zhytur në sherbet me çokollatë.

Kjo ëmbëlsirë është vërtet fantastike nëse keni ndonjë gëzim familjar apo festë ditëlindjeje.

PËRBËRËSIT

4 vezë

1 filxhan çaji sheqer

1 filxhan çaji qumësht

1 filxhan çaji vaj ulliri

3 filxhanë çaji me miell

5 lugë gjelle kakao

1 pako pluhur pjekës

SHERBETI

3 gota ujë

2 gota sheqer

200 gr çokollatë,

Lëkurë limoni

PËRGATITJA

Thyeni vezët në një tas dhe rrihini me mikserin bashkë me një filxhan sheqer.

Kur masa të jetë bërë kremoze dhe me ngjyrë të verdhë të hapur, AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni qumështin dhe vajin e ullirit.

Ndërkohë në një tas tjetër përzieni miellin me kakaon dhe pluhurin pjekës të ëmbëlsirave.

Kur të siguroheni që sheqeri është tretur plotësisht, hidhni miellin me kakao dhe fryrësin tek tasi ku keni rrahur përbërësit e lëngshëm.

Vazhdoni ta përzieni me rrahësen e vezëve masën derisa përbërësit të lidhen dhe të formojnë brumin e ëmbëlsirës.

Këtë brum kalojeni në një tavë të cilën e keni lyer me pak vaj dhe spërkatur lehtë me miell.

AgroWeb.org ju këshillon që për të patur një pjekje sa më të mirë dhe të njëtrajtshme, brumin duhet ta përhapni sa më barabartë në tavë.

Futeni tavën në furrë të ngrohur në 170 gradë dhe piqeni për 40 minuta.

Për të parë nëse ëmbëlsira është pjekur, shpojeni atë në mes me një thikë dhe shikoni nëse sipërfaqja e saj është e pastër atëherë gjithçka është gati.

Ndërkohë që ëmbëlsirën e lini të ftohet, përgatisni sherbetin.

Në një tenxhere përzieni ujin dhe sheqerin dhe vendoseni në zjarr që të ziejë.

Pas 10 minutash që sherbet valon, shtoni lëkurën e një limoni të prerë në formën e një fletë të hollë.

Në 5 minutat e fundit të zierjes së sherbetit shtoni edhe çokollatën.

Në këtë hap duhet ta përzieni mirë masën në mënyrë që çokollata të mos ngjitet në fundin e tenxheres.

AgroWeb.org ju këshillon që ëmbëlsirën ta prisni në format që dëshironi dhe të hidhni kështu sherbetin e përgatitur.

Mbulojeni tavën me një kapak apo pecetë dhe lëreni që të përthithë sherbetin për 1 orë.

Më pas futeni në frigorifer para se ta shërbeni dhe shijojeni me të dashurit tuaj./AgroWeb.org