Mishi i grirë është baza e shumë recetave të gatimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Amvisat shqiptare e përdorin atë për qoftet fantastike, sarmën e lakrës apo byrekun.

Mishi i grirë mund të përdoret edhe për një fërgesë të shkëlqyer të pjekur në furrë, recetën e së cilës e gjeni duke lexuar më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org

Fërgesë Në Furrë Me Mish Të Grirë Dhe Vezë

Kjo recetë e shijshme përgatitet shumë shpejt dhe është e përshtatshme për vaktin e drekës dhe kur nuk keni shumë kohë në dispozicion.

Aroma e saj pa dyshim që do të ndezë shqisat e shijes dhe do të hapë oreksin.

Përbërësit:

Gjysëm kilogramë mish qingji ose viçi i grirë

1 qepë e madhe e grirë hollë,

2 thelbinj hudhër të grirë hollë,

1 lugë gjelle salcë domate,

1 lugë çaji spec djegës pluhur

4 vezë,

2 lugë gjelle gjalpë,

Kripë dhe piper sipas dëshirës,

2 lugë gjelle majdanoz të grirë hollë.

Përgatitja:

Vendosni një tigan të madh e të thellë në zjarr.

Hidhni gjalpin dhe kur ai të jetë nxehur, shtoni qepën e grirë hollë.

Pasi të jetë kavërdisur lehtë, shtoni mishin dhe përziejini së bashku me lugë druri.

Kavërdisini për disa minuta deri sa mishi të jetë skuqur.

Shtoni më pas salcën e domates, hudhrën dhe specin djegës.

Lërini të skuqen deri sa lëngu i mishit të ketë avulluar.

Shtoni kripën dhe piperin.

Sa i përket hedhjes së vezës keni dy alternative.

Kur mishi të jetë skuqur plotësisht, me një lugë druri hapni katër vende për vezët dhe hidhini aty.

Mbylleni kapakun, uleni temperaturën dhe lërini vezët të gatuhen për 5-8 minuta.

Nëse dëshironi, tiganin mund ta fusni në furrë dhe t’i jepni kohën e duhur që të piqen vezët.

Kur fërgesa të jetë gati, servireni duke i hedhur sipër majdanozin e freskët./AgroWeb.org