Filetot e pulës janë një shpëtim sa herë që nuk doni të përgatisni një pulë të plotë.

Duke qenë se janë të prerë e të pastruar, gatimi i tyre është shumë i shpejtë dhe i lehtë.

Përveç këtyre faktorëve, filetot e pulës mund të përfshihen fare lehtë nëpër receta, nga makaronat e deri tek tava me perime apo kotoletat, ato janë perfekte.

Për më tepër, filetot siç e dimë janë pjesë e gjoksit të pulës ose mishit të bardhë, kjo i bën ato perfekte për këdo që kërkon të ruajë peshën, pasi është një ushqim dietik.

Sot ama receta që AgroWeb.org ju tregon, nuk është edhe aq dietike, por ka shije shumë të mirë.

Kombinimi i filetos së skuqur të pulës të mbushur me gjalpin me hudhër, barishte e erëza ofron një përvojë fantastike në tryezë.

Fileto Pule e Mbushur Me Gjalpë, Hudhër e Erëza

Përbërësit:

8 fileto pule

225 gramë thërrime buke të thara

75 gramë djathë parmixhan të grirë

5 vezë të rrahura

100 gramë miell

Një majë luge çaji spec të kuq pluhur

4 lugë gjelle vaj për skuqje

4 thelbinj hudhër të shtypur

2 lugë gjelle majdanoz të grirë shumë imët,

200 gramë gjalpë të butë

Lëngu i një gjysme limoni.

Përgatitja:

Në një enë qelqi përzieni hudhrën, gjalpin, majdanozin dhe lëngun e limonit.

Përziejini mirë deri sa përbërësit të treten mirë me njëri tjetrin.

Merrni një fletë alumini dhe masën e gjalpit ndajeni në dy copa.

Mbështillini fort me qese alumini si në formën e një salçiceje dhe më pas futini në ngrirje.

Një gjë të tillë mund ta bëni edhe një ditë më parë.

Kur gjalpi të jetë ngrirë ndajeni në 16 copa të barabarta.

Merrni filetot e pulës dhe me thikë formoni një xhep të brendshëm ku do të fusni nga dy kubikë gjalpë.

Shtypini filetot me duar dhe lërini mënjanë.

Në një enë tjetër përzieni thërrimet e bukës dhe djathin parmixhan.

Rrihini vezët në një pjatë ndërsa në një enë tjetër përzieni miellin me specin pluhur dhe pak kripë.

Secilën prej filetove zhyteni në fillim në miell, pastaj tek veza dhe më pas tek thërrimet e bukës.

Një gjë e tillë do t’i bëjë filetot krokante dhe do të sigurojë mbajtjen e gjalpit në brendësi.

Futini filetot në frigorifer për të paktën një orë.

Vendosni tiganin në zjarr dhe kur të jetë nxehur vaji skuqini filetot për 2-3 minuta nga të dyja anët.

Më pas, vendosini filetot në një tavë dhe piqini për 20-25 minuta. Ju bëftë mirë/AgroWeb.org/