*Nga Valbona Furrari Lasku

Kjo recetë të cilën ma keni kërkuar shumë prej jush, besoj do jetë dhe e fundit për 2019, një vit i cili në aspektin profesional, familjar, të miqësive dhe te ndjekësve ka qenë i mbarë.

Vasilopita ka qenë receta me të cilën kam hapur blogun në 8 Janar 2019 dhe Gliko Portokalli një nga gatimet më tradicionale dhe të dashura të stinës mbyll këtë vit.

Mbyllje me ëmbëlsi dhe me produktet e bahçes, glikoja e portokallit është një “must“ në shtëpi.

Ndonëse sot nuk qerasim më si dikur, kjo gliko është ëmbëlsirë më vete në çdo kohë.

Kur të përgatisni dhe glikonë, lëkurën që do gërryeni mos e çoni dëm, por kthejeni në një super esencë, të cilën mund ta përdorni gjatë gjithë vitit në përgatitje keku dhe biskota me shije portokalle.

Po vijoj me recetën se në këtë sezon të ngarkuar nuk kemi shumë kohë për lexime.

Përbërësit:

2 kg portokalle

Për sherbetin

1 kg portokall i pastruar nga lëngu dhe farat, i shkuar në varg i kulluar

1 kg sheqer

700 ml ujë

Përgatitja

Portokallet i lajmë dhe me një rende të imët i heqim cipën sipër. Lëkurën e përfituar e bëjmë esencë sipas shpjegimit këtu.

Më pas portokallet i ndajmë në 4 copa dhe me një gërshërë gatimi presim fijet e bardha dhe shtrydhim lëngun dhe farat nëse ka.

Siç e kërkon dhe tradicionalja me një gjilpërë ku kemi shkruar pe, fillojmë i mbërthejmë portokallet si varg, duke i lidhur fundet e tyre.

Kjo mënyrë ndihmon që glikoja portokallit të ruajë formën e bukur të palosjes në servirje.

Vargjet i vendosim në një tas me ujë dhe e lëmë të paktën 1 ditë të plotë duke e ndërruar ujin disa herë gjatë ditës. Kjo do ndihmojë në nxjerrjen e hidhësisë që ka lëkura.

Pas 24 orësh vargjet i ziejmë 2 apo 3 herë në varësi të hidhërimit që ka lëkura vetëm me ujë, 5 minuta nga pika e vlimit duke e derdhur ujin dhe rimbushur përsëri për zierjen e dytë.

Më pasi vendosim vargjet në një kullesë dhe i lëmë të kullojnë për të paktën 1 orë.

Pasi portokallet kanë kulluar i peshojmë ato. Unë do ju jap masat për 1 kg portokalle të kulluara. Ju më pas rrisni ose zvogëloni sasinë e sheqerit sipas peshës së portokalleve tuaja.

Për 1 kg portokalle të kulluar shtojmë 1 kg sheqer dhe 700 ml ujë.

I trazojmë dhe i vendosim për të zierë pa kapak, në zjarr të mesëm të avashtë, derisa lëngu i glikosë të lidhet duke e provuar në një pjatë.

Hedh pak lëng nga glikoja dhe e ndan me lugë mes për mes.

Nëse të dy anët afrohen me ngadalë pranë njëra-tjetrës glikoja është bërë gati.

Vendoseni glikonë të nxehtë nëpër vazo dhe i ktheni ato me kokë poshtë./AgroWeb.org

* Valbona Furrari Lasku është një food bloger, me karrierë të gjatë në komunikim dhe menaxhim biznesi, por edhe një pasionante e kuzhinës së mirë dhe e recetave të shijshme të gatimit. Ajo ka edhe blogun e saj Bonbon Taste, me receta të traditës por edhe të reja, të shijshme dhe mbi të gjitha të shëndetshme. Recetat e saj ajo ka vendosur t’i ndajë edhe për lexuesit e AgroWeb.org