Krepat janë një nga recetat më thjeshta dhe popullore të cilat mund t’i shijoni në çdo kohë.

Zakonisht përgatiten kur doni një gatim të shpejtë e një vakt të lehtë, duke u shoqëruar me ndonjë salcë po ashtu të thjeshtë.

Në këtë recetë AgroWeb.org ju tregon se si t’i ktheni ato lehtë në një vakt të plotë, për të shtruar mëngjeset, drekat apo darkat tuaja.

Të mbushura me kungulleshka dhe gjizë, zbuloni në vijim recetën interesante e mjaft të shijshme.

Përbërësit

3 vezë

350 ml qumësht

200 gr miell

500 gr kunulleshka

250 gjizë pa kripë

80 gr djathë kaçkavall i grirë

1 thelbi hudhër

Mente e freskët

Kripë

Piper

Vaj

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të grini hollë kungulleshkat.

Të gjithë rrathët e hollë, vendosini në një tigan për t’u skuqur me pak vaj ulliri, kripë dhe një thelbi hudhër.

Kur tigani të nisë të ngrohet, shtoni gjysmë gote më ujë dhe lërini të gatuhen për 15-20 minuta, derisa të zbuten.

Më pas vazhdoni duke përgatitur brumin për krepat, në një enë shtoni vezët bashkë me qumështin dhe përziejini me anë të një rrahësei ose piruni.

Pak nga pak nisni të shtoni miellin dhe pak kripë, duke përzier në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Pasi të jetë formuar brumi i trashë, lëreni të pushojë për 15 minuta.

Ndërkohë shtoni në një enë gjizën pa kripë, kungulleshkat e skuqura, djathin kaçkavall të grirë dhe përzieni të gjithë masën derisa të jetë homogjene.

Në një tigan të pastër, filloni të krijoni krepat.

Merrni brumin me anë të një garuzhde dhe përhapeni nëpër të gjithë tiganin në formën e një pete.

Formoni të gjithë petët e krepave dhe mbushini me masën homogjene që sapo përgatitët.

Më pas palosini krepat në formë trekëndore dhe vendosini në një tavë në mënyrë që të qëndrojnë të mbyllura.

Shtoni pak vaj ulliri dhe djathë kaçkavall të grirë dhe futini që të piqen në temperaturën 190 gradë për 20 minuta.

Kur të kenë marrë ngjyrë të artë dhe djathi të jetë shkrirë, hiqni nga furra dhe më pas mund t’i shërbeni./AgroWeb.org