Kur vendosen tavat e shijshme në mes të tryezës, vakti padyshim që merr një tjetër rëndësi dhe bëhet më i plotë.

Pjekja e ushqimeve në furrë mund të fillojë që nga tavat e mrekullueshme me mish tek perimet, orizi, makaronat e ëmbëlsirat.

Gjithësesi në mesin e këtyre gatimeve AgroWeb sot do të ndalet tek gatimi i makaronave në furrë.

Elementi i veçantë i kësaj recete janë kungulleshkat dhe salca beshamel që do të përdorim.

Për nga thjeshtësia e madhe që kjo recetë ka dhe për nga shija që të kënaq ju sugjerojmë që ta provoni edhe ju në shtëpitë tuaja.

Mjafton të ndiqni hap paa hapi përgatitjen në vazhdim të këtij artikulli.

Përbërësit

400 gr makarona të shkurtra (fusili ose penne)

3 kungulleshka

1 degë borzilok

1 thelbi hudhër

50 gr djathë kaçkavall i grirë

200 gr djathë i bardhë në feta

200 ml salcë beshamel

Kripë

Piper i zi

Vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të prisni kungulleshkat në kubikë të vegjël dhe t’i vendosni në një tigan.

Shtoni po aty gjymë gote uji, pak vaj ulliri, hudhër, kripë e piper sipas preferencave tuaja dhe vëreni në zjarr për 10 minuta duke e përzier herë pas here.

Kur kungulleshkat të jenë zbutur hiqini nga zjarri dhr lërini të ftohen pak.

Më pas hidhini në një misker bashkë me fletët e borzilokut dhe përziejini derisa të krijohet një masë kremoze homogjene.

Nëse ky krem është shumë i trashë mos hezitoni të shtoni dhe pak ujë ose vaj e të vazhdoni me përzierjen.

Kur kremi të jetë gati vendoseni në një enë të thellë dhe lëreni veçmas.

Ndërkohë vini makaronat për tu zier për disa minuta derisa të jenë “al dente” ose jo shumë të buta.

Kullojini dhe hidhini makaronat tek ena ku ndodhet kremi i kungulleshkave.

Po aty shtoni edhe salcën beshamel të cilin mund të mësoni si përgatitet duke klikuar këtu.

Shtoni djathin e grirë kaçkavall, pak ujë nga ai i makaronave që përgatitët më parë dhe djathin e bardhë.

Përziejini mirë të gjithë përbërësit me një lugë druri duke bërë kujdes që të mos prishni makaronat.

Më pas të gjithë masën kalojeni në një tavë pjekje katrore, të thellë duke e shtruar me lugë në sipërfaqe.

Hidhini sipër sërish pak djathë kaçkavall të grirë dhe futeni në furrë të piqet për 15 minuta në temperturën 180 gradë.

Në 5 minutat e fundit ngrijeni pak temperaturën e furrës, derisa të piqet pjesa e sipërme e tavës e të marrë ngjyrë.

Kur të jetë gati nxirreni me kujdes, lëreni të ftohet e më pas mund ta shërbeni sipas dëshirës në tryerzat tuaja./AgroWeb.org