Shegët, por pa dyshim edhe mollët e freskëta e të mira janë shija karakteristike e dimrit.

Përveçse të mbushura me vitamina janë një mënyrë shumë e mirë për të kaluar edhe vaktet.

Përtej formës së tyre të freskët, AgroWeb.org ju këshillon t’i shijoni edhe në një formë tjetër.

Përgatisni marmelatën më të shijshme të dimrit me të dy këta përbërës ne vetëm pak hapa.

Përbërësit

1.5 kg shegë

220 gr mollë (golden)

300 gr sheqer

Lëkura e një limoni

60 ml lëng limoni

Përgatitja

Për të nisur me realizimin e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të qëroni shegën dhe mollët.

Kujdesuni t’i qëroni mirë kokrrizat e shegëve siç bëni zakonisht dhe vendosini në një enë.

Mollët po ashtu pritini në kubikë të vegjël dhe pa i qëruar vendosini në një enë veçmas.

Kthehuni sërish tek kokrrizat e shegëve dhe hidhini ato në një tenxhere të thellë, aty grini dhe lëkurën e një limoni e në fund shtoni dhe mollët e prera.

Shtoni sheqerin, mbuloni tenxheren me nje qese plastike kuzhine dhe lëreni të pushojë në temeraturë ambient përgjatë gjithë natës.

Pasi të ketë kaluar kjo kohë, shtoni tek tenxherja edhe lëngun e limonit dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashtë për 40 minuta.

Kur të krijohet shkuma e bardhë karakeristike që zë reçëli gjatë zierjes kujdesuni që të hiqni të gjithën me lugë.

Në fund kalojeni të gjithë masën në mikser ose shtypeni mirë në mënyrë që të përfitoni një lëng të trashë ngjyrë vishnje.

Hidheni sërish në një tenxhere dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashtë për 50-60 minuta të tjera, duke e përzier masën herë pas here.

Në fund masa duhet të jetë mpiksur dhe të jetë trashur në formën e marmelatës.

Për provë vendosni pak nga masa në një pjatë dhe kthejeni anash, nëse marmelata juaj fillon e kullon, atëherë nuk është gati.

Vnedoseni të ziejë sërish në temperaturë të avashtë duke e përzier.

Teksa është ende e nxehtë hidheni në kavanoza të vegjël hermetikë duke lënë 1 cm hapësirë nga kapaku.

Lëreni të ftohet dhe ruajeni në frigorifer për ta shijuar në çdo kohë./AgroWeb.org