Mbretëroret e ëmbla të Veriut

1.9k 0

Është një ëmbëlsirë krejt e veçantë, karakteristikë e traditës shqiptare e cila është përcjellë mes amvisave si një recetë sekrete e misterioze.

Në disa zona të Shqipërisë quhet Mbretërore e në disa të tjera Bushe, por shija e saj e përsosur të lë me të vërtetë pa fjalë.

Mbretëroret apo Bushet janë aq të buta sa duket sikur të përkëdhelin shijen menjëherë sapo i provon, teksa të përfshijnë tërësisht e s’mund të ndalesh pa ngrënë edhe një tjetër.

AgroWeb.org zbulon më poshtë për të gjitha amvisat recetën fantastike dhe të panjohur të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire unike.

Përgatitja e Mbretëroreve në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 filxhan kafeje miell
  • 1 filxhan kafeje qumësht pluhur
  • 1 kokërr vezë
  • 1 lugë kafe të sheshte sodë buke

Përgatitja

Në një tas të gjerë përzieni miellin, qumështin pluhur, sodën e bukës dhe vezën.

Përziejini deri sa të formohet brumi.

Nëse masa e përftuar nuk mblidhet siç duhet, atëherë shtoni pak miell.

Brumin e përpunoni me duar dhe i jepni forma të rrumbullakëta.

Bushet apo Mbretëroret shtypen me dorë që të jenë të sheshta dhe të vogla.

Më pas vendosini në një tavë të lyer me gjalpë.

Në sipërfaqen e secilës prej ëmbëlsirave vendoseni pak gjalpë.

Tavën futeni në furrë dhe piqini në 180 gradë.

Hiqini nga furra kur bushet të kenë marrë një ngjyrë të kuqerremtë.

Ndërkohë që bushet piqen në furrë, vendosni një tenxhere në zjarr për të përgatitur sherbetin.

Hidhni një litër ujë, 23 lugë gjelle sheqer dhe një majë luge çaji me vanilje pluhur.

Këtu është edhe pjesa më delikate e procesit të përgatitjes, ku AgroWeb.org ju këshillon që kur uji të ketë marrë valë dhe sheqeri të jetë shkrirë, hidhni bushet siç janë ngrohta në tenxhere dhe lërini në zjarr të ngadaltë deri sa të thithin të gjithë sherbetin.

Gjatë kësaj kohe, ëmbëlsirat kthejini herë pas here nga të dyja anët në mënyrë që të thithin sa më mirë sherbetin.

Më pas, vendosini në një tepsi për t’u ftohur.

Bushet serviren të ftohta dhe ruhen në frigorifer./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.