Mëllenjat janë një zgjidhje e mirë kur doni të përgatisni një recetë pak më ndryshe se ajo me pulë.

Më të shijshme dhe më të veçanta, mëllenjat i japin një aromë krejtësisht tjetër pjatave tuaja.

AgroWeb.org këtë radhë ju sugjeron që të përgatisni mëllenjat me qull për t’i shijuar të ngrohta me të dashurit tuaj.

PËRBËRËSIT

4-5 mëllenja,

4 lugë gjelle me miell,

3-4 lugë gjelle vaj ulliri,

kripë,

piper i zi,

2-3 thelpinj hudhër,

bukë

PËRGATITJA

Si fillim nisni me pastrimin e mëllenjave duke i tharë më pas me letër kuzhine për të larguar lagështirën e tepërt.

Në zjarr ndërkohë vendosni një tenxhere dhe aty skuqni lehtë mëllenjat sa të marin një ngjyrë të artë të lehtë në të gjithë sipërfaqen.

Hidhni kripë dhe piper për t’i dhënë shije mishit dhe mbulojeni me ujë.

Lërini mëllenjat të ziejnë për një orë të mbuluara me kapak. AgroWeb.org ju këshillon që nëse mëllenjat janë të blera në market do të duan më pak kohë që të ziejnë.

Pasi zogjtë të jenë gati mund të vazhdoni me hapin tjetër të recetës.

Në një tigan skuqni miellin me pak vaj ulliri në zjarr të ulët derisa të marri një ngjyrë të lehtë në të verdhë.

Ndërkohë që e përzieni miellin, AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni ngadalë lëngun e mishit.

Tregoni kujdes që mos t’ju mbeten kokrra të patretura të miellit pasi do të prishin shijen e recetës.

Kur të jeni siguruar që përbërja ka formën e një salce të plotë, largoni mëllënjat nga tenxherja dhe shtoni aty masën kremoze.

Vendoseni përsëri në zjarr tenxheren dhe lëreni aty derisa të kthejë valë.

Shtoni tek lëngu 2 thelpinj hudhër të shtypur dhe lihet në zjarr edhe për 10 minuta të tjera.

Mëllenjat ndërkohë skuqini me pak gjalpë bashke me dy apo tre feta bukë të prerë në kubik.

Më pas hidhet lëngu në një pjatë të thellë vendosen mëllenjat dhe sopat e bukës së skuqur dhe shijohet e ngrohtë./AgroWeb.org