Mishi i pulës përveçse ndër më të shëndetshmit, hyn edhe tek mishrat më të parapëlqyer për shumicën e njerëzve.

Gatuhet dhe konsumohet gjatë gjithë vitit për shkak të shijes së butë dhe të veçantë që ka.

Ndonëse freskia është një faktor kyç në cilësinë dhe vlerat ushqyese tek çdo ushqim, amvisat zgjedhin që ndonjëherë mishrat t’i ruajnë edhe në ngrirje.

Kjo zgjedhje është ideale për ata që duan t’i ruajnë ushqimet e tyre për një kohë më të gjatë.

Debati për ngrirjen e mishit dhe vlerat e tij është ende prezent për shkak të rreziqeve që mbart.

Prej kohësh ekspertët rekomandojnë mënyra se si të ruani dhe kujdeseni për ushqimet tuaja në mënyrë që të mos ju ikin vlerat ushqyese.

Njëjtë ndodh edhe me mishin e pulës të cilin AgroWeb.org e trajton në shkrimin e sotëm.

Nëse deri më sot e shkrini mishin tuaj thjeshtë duket e nxjerrë në temperaturë ambienti, kjo metodë është e gabuar.

Më poshtë gjeni të listuara këshillat e AgroWeb.org mbi mënyrat e sakta të shkrirjes së mishit të pulës.

Shkrirja në frigorifer

Sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore një ndër mënyrat më të sigurta për shkrirjen e mishit të pulës është brenda në frigorifer.

Konsiderohet si një nga vendet më të sterilizuara dhe të mira për t’a kryer këtë proces.

Mjafton që nga ngrirja ta zbrisni mishin në pjesën e poshtme të frigoriferit tuaj.

Kini parasysh që ta bëni këtë disa orë para se ta gatuani mishin ose edhe një natë më parë.

Në këtë mënyrë bakteret nuk do të zhvillohen dhe rriten brenda mishit tuaj.

Zhytja në ujë

Nëse nuk keni kohë për metodën e mësipërme dhe ju duhet të përgatisni një vakt të shpejtë, ka një tjetër mënyrë.

Nxirreni pulën nga ngrirja dhe futeni në një qese hermetike dhe zhyteni në një enë me ujë të ftohtë.

Lëreni pulën të shkrijë në këtë mënyrë dhe ndërrojani ujin çdo 30 minuta.

Bëni shumë kujdes që uji të mos futet brenda qeses, pasi në këtë mënyrë mund të zhvillohen edhe bakteret tek mishi.

Shkrirja në mikrovalë

Sipas radhës, kjo është edhe mënyra më e shpejtë për kryerjen e këtij procesi menjëhërë.

Mjafton ta nxirrni pulën nga ngrirja ta vendosni në një pjatë dhe ta fusni në mikrovalë për rreth 1 minutë.

Ky proces do të arrijë të shkrijë akullin dhe të mbrojë mishin nga bakteret.

Më pas sigurohuni ta gatuani këtë mish menjëherë në mënyrën që ju dëshironi./AgroWeb.org