Kjo është një recetë e thjeshtë por fantastike si në shije ashtu edhe vlera ushqyese.

AgroWeb.org ju sjellë recetën e mishit të qengjit me kos dhe hudhra, e cila përgatitet në shumë pak minuta dhe krijon një pjatë të mrekullueshme.

Kjo recetë përgatitet edhe me lloje të tjera mishi siç është mishi i pulës apo i viçit.

Kjo do të jetë një recetë që do t’ju mahnisë, mishi qëndron i butë e plot lëng, por gjithashtu ka një shije perfekte nga erëzat e përdorura.

Përgatitja e Mishit të Qengjit me Kos e Hudhra

Përbërësit për 4-5 persona

4-5 thela të plota të mëdha mish qengji ose një pjesë e mirë e paprerë qengji, shpatull apo kofshue

2 gota me kos

6-8 thelpinj hudhër

2-3 lugë gjelle me vaj ulliri

Kripë

Piper

Majdanoz i grirë

Përgatitja e recetës

Thelat e mishit të pastruara ose pjesën e paprerë të qengjit vendoseni në një tenxhere me ujë dhe pak kripë dhe  vendosini të zjejë për 20 minuta. Më pas, hiqeni dhe lëreni të ftohet.

Në një tas hedhim kosin, pak kripë e piper sipas dëshirës, dhe i përziejmë në mënyrë që të formojnë një masë të njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që në rast se përdorni kos të përgatitur në shtëpi, duhet t’i kulloni lëngun që lëshon vetë kosi.

Kjo recetë mund të bëhet me çdo lloj kosi, por më ideali është ai i deles, pasi është dhe më kremoz.

Pasi e kemi përgatitur kosin, kalojmë aty copat e mishit të qengjit ose pjesën e paprerë dhe përziejini me një lugë druri.

Në një tavë qelqi ose balte, hidhni vajin e ullirit dhe mundohuni që ta përhapni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Më pas qëroni hudhrat dhe mjafton t’i ndani në gjysmë.

Masën me kosin dhe mishin e qengjit vendoseni në tavë, shtoni aty dhe hudhrat e prera.

E vendosim për t’u pjekur në furrë të parangrohur me 220 gradë celsius, përreth 40 minuta, ose derisa mishi i qengjit të jetë pjekur plotësisht.

Nëse dëshironi t’i forconi shijen kësaj recete mund t’i shtoni dhe disa feta limoni pasi kanë kaluar 20 minuta nga pjekja.

AgroWeb.org ju sugjeron që kur mishi i qengjit të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë, ta kthejni nga ana tjetër, kështu do të piqet uniform.

Para se ta servirni në tryezën tuaj, hidhini sipër majdanozin e freskët, të cilin e keni grirë imët, dhe përgatituni për një shije unike.

Mund të shoqërohet me bukë të thekur apo me sallatë perimesh të stinës për një vakt sa më të lehtë./AgroWeb.org