Farat janë një burim i shkëlqyer i yndyrnave të shëndetshme, proteinës vegjetariane, fibrës dhe antioksidantëve.

Ato pakësojnë rrezikun e shfaqjes së disa sëmundjeve. Disa prej farave munden të ulin kolesterolin dhe rrezikun e shfaqjes së kancerit.

Kur farat bëhen pjesë e një regjimi të shëndetshëm ushqimor, ato ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, kolesterolit dhe sheqerit në gjak.

Farat mund të përfshihen shumë thjeshtë nëpër sallata e lëngje frutash, por mund të konsumohen edhe me kos apo tërshërë.

Së fundmi, një trend i ri duket se po zgjon interes tek amvisat shqiptare. Bëhet fjalë për përgatitjen e gjalpit organik të farave të ndryshme.

Ndër llojet më të pëlqyera të këtyre farave janë ato të lulediellit, kungullit dhe suzamit.

Ky artikull i AgroWeb.org shpjegon nivelin ushqyes dhe përfitimet shëndetsore të gjalpit organik të përgatitur prej këtyre farave të shëndetshme që ju mund t’i konsumoni çdo ditë.

Gjalpi i farës së lulediellit

Farat shumë të pëlqyera të lulediellit mund të shndërrohen në një gjalpë organik plot vlera ushqyese.

Ky lloj gjalpi promovon shëndet të mirë kardiovaskular, balancon nivelet e kolesterolit dhe ju jep një humor të mirë.

Ai është një burim i shkëlqyer i vitaminave B, vitaminave E, bakrit, manganit, seleniumit, fosforit, magnezit, yndyrnave të shëndetshme, fibrës dhe proteinës.

Gjalpi i farës së kungullit

Gjalpi i farës së kungullit fuqizon sistemin imunitar. Është një ushqim i rëndësishëm për shëndetin e meshkujve dhe për femrat pas menopauzës.

Ky gjalpë është anti-diabetik dhe anti-inflamator. Vetitë e tij e bëjnë të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të mëlçisë dhe zemrës.

Gjalpi i farës së kungullit përbën burimin më të pasur të zinkut në krahasim me të tjerët. Ai përmban gjithashtu mangan, fosfor, bakër, magnez, zink, hekur, yndyrna të shëndetshme, proteina dhe fibra.

Këtë gjalpë mund ta gjeni shumë rrallë në treg, ndaj më mirë përpiquni ta përgatisni në shtëpi.

Gjalpi me fara suzami, ose Tahini

Nëse keni qenë në Turqi ose Greqi atëherë padyshim keni provuar të famshmin tahini. Farat e suzamit i bëjnë shumë mirë shëndetit.

Ato kanë aftësi parandaluese kundër diabetit, forcojnë kockat, ulin tensionin e gjakut, mbrojnë shëndetin e zemrës, përmirësojnë tretjen, zvogëlojnë inflamacionin dhe detoksifikojnë organizmin.

Ky gjalpë ka nivelin më të lartë të kalciumit në krahasim me të tjerët dhe përmban bakër, mangan, magnez, fosfor, zink, hekur, selenium, fibra dhe proteina.

Në përgjithësi, çdo lloj fruti arror ose farë mund të kthehet në gjalpë. Disa prej tyre mund t’i gjeni në dyqane specifike të produkteve organike.

Gjalpi i farave dhe frutave arrorë mund të konsumohet veçmas, ose me një panine, ëmbëlsirë, lëng të plotë frutash, akullore, supa, makarona aziatike apo edhe panine me perime.

Kam një lajm të mirë për të gjithë dashamirësit e këtij produkti. Ju mund të përgatisni gjalpin tuaj të preferuar në kushtet e shtëpisë.

Proçesi në fakt është shumë i thjeshtë dhe përmban dy hapa.

Hapi i parë: Merrni një filxhan me fruta arrorë ose fara sipas përzgjedhjes suaj dhe shtoni pakëz kripë deti.

Hapi i dytë: Hidhini në pajisjen grirëse dhe përzjejini deri sa të transformohen në një masë të butë ose pak krokante në varësi të preferencës.

Nëse procesori i ushqimit ju shkakton probleme në përzierjen e arrave apo farave shtoni pak vaj arre kokosi që e gjithë përzierja të shkojë vaj.

Provoje dhe ti dhe ndaje me AgroWeb se cili është gjalpi yt i preferuar!/AgroWeb.org