Buka me Gërsheta është një nga traditat më të hershme të amvisave shqiptare, të cilat kujdesen ta përgatisin atë në raste të veçanta festimesh.

Si pjesë e rëndësishme e traditës dhe historisë së kulinarisë shqiptare ato njihen me emrin “Nusëza”

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e mrekullueshme, me të gjithë hapat që duhen ndjekur në përgatitjen e këtij gatimi special.

Receta e bukës gërshetë kërkon pak durim dhe kohë në përgatitje, kjo pasi procesi i përgatitjes së saj megjithëse i lehtë është pak i gjatë në kohë.

Buka me gërsheta është e butë dhe ka një shije të veçantë, pak të ëmbël dhe kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me gjalpë e djathë.

Përgatitja e Bukës Gërshetë në Shtëpi

Përbërësit

½ kg miell gruri

5 kokrra vezë

100 gr gjalpë të shkrirë

100 ml qumësht

30 gr maja birre

150 gr sheqer

Pak kripë

Përgatitja

Në një gotë me pak ujë të vakët shtojmë majanë dhe e përziejmë me një lugë të vogël derisa të shkrijë, dhe e shtojmë më pas në një tas ku kemi qumështin e vakët.

Në vijim, shtojmë një lugë të vogël kafeje me sheqer, pak kripë, gjysmën e miellit dhe i përziejmë mirë derisa të krijohet një brumë i njëtrajtshëm.

Brumin e lëmë të pushojë përreth dy orë derisa masa e tij të dyfishohet.

Në një tas të madh, rrahim vezët duke i hedhur pjesën tjetër të sheqerit, shtojmë gjalpin e shkrirë dhe gjysmën tjetër të miellit.

Dy orë pasi brumi ka pushuar dhe masa e tij është dyfishuar, e bashkojmë me brumin tjetër. E përziejmë me njëri tjetrin derisa të krijohen një masë brumi homogjen.

AgroWeb.org ju këshillon që brumi të jetë elastik por jo shumë i hollë. Nëse bëhet shumë i hollë atëherë shtoni edhe pak miell.

E lëmë sërish të pushojë dhe rrisë vëllimin e saj edhe për dy orë të tjera.

Pas dy orësh, brumin e ndajmë në dy pjesë. Krijojmë dy rripa të gjatë me të cilët krijojmë një gërshet, të cilin nëse preferoni mund t’i jepni formën e rrethit.

E vendosim në një tavë të lyer me pak gjalpë dhe pluhur mielli dhe e lëmë të pushojë edhe për 1 orë. Më pas e fusim të piqet në furrën e parangrohur./AgroWeb.org