Panxhari i kuq është një nga perimet më të vyera për shëndetin e njeriut.

Kjo perime e nëntokës është e dobishme në trajtimin e problemeve me tensionin e lartë të gjakut, anemisë, tretjen, konstipacionin, problemet me veshkat, lëkurën dhe sëmundjet e zemrës.

Panxhari gjithashtu ju ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, parandalon formimin e perdeve të syrit dhe problemet e frymëmarrjes.

Panxhari i kuq ka shumë vlera shëndetësore. Ai është i pasur me vitamina dhe minerale si magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori.

Në këtë artikull do të mësoni se si të përgatisni në shtëpi një nga sallatat më të shijshme me panxhar të kuq.

Kjo sallatë është shumë e shëndetshme dhe e shijshme sepse kombinon më së miri panxharin me djathin e dhisë bashkë me sallatën jeshile dhe arrat e ëmbëlsuara me mjaltë.

Uthulla balsamike, portokalli dhe vaji i ullirit prodhojnë një salcë të ëmbël dhe të athtë që përshtatet shumë me përbërësit e tjerë të sallatës.

Përgatitja e Sallatës me Panxhar e Djathë Dhie në Shtëpi

Përbërësit

4 zhardhokë panxhari të pastruar e të ndarë në copa

Çerek filxhan çaji me arra të copëtuara

1 lugë gjelle me mjaltë

1 tufë me sallatë jeshile

Çerek filxhan çaji me lëng portokalli

Çerek filxhan çaji me uthull balsamike

Gjysëm filxhan çaji me vaj ulliri ekstra të virgjër

200 gramë djathë dhie

Përgatitja

Vendosini zhardhokët e panxharit në një tenxhere me ujë.

Lërini të marrin një valë dhe më pas ziejini për 20-30 minuta.

Kullojini dhe më pas prijini në copa katrore.

Gjatë zierjes së panxharit, arrat kavërdisini në një tigan në një nxehtësi mesatare.

Në momentin që arrat nisin të piqen shtoni mjaltin.

Kavërdisini për pak minuta dhe më pas hiqeni tiganin nga zjarri.

Në një enë tjetër përzieni së bashku lëngun e portokallit, uthullën balsamike dhe vajin e ullirit.

Merrni një tas të madh sallate dhe në të hidhni fletët e lara të sallatës jeshile.

Shtoni arrat e ëmbëlsuara me mjaltë dhe panxharin.

Më pas hidhni djathin e dhisë duke e shkërmoqur me duar.

Përgatitja e sallatës përfundon duke shtuar lëngun me vaj ulliri e lëng portokalli të përgatitur më lart./AgroWeb.org