Quhet papare (pa para) sepse përbërësit e saj janë të thjeshtë, të paktë dhe jo të kushtueshëm, e gjenden lehtësisht në kuzhinën e çdo familjeje shqiptare.

Dikur, Paparja ka qenë një ndër gatimet më popullore të nënave dhe gjysheve, të cilat e përgatisnin atë sidomos për mëngjes.

E ngrohtë dhe fantastike në shije, Paparja edhe sot, mbetet padyshim një gatim unik i traditës së kuzhinës vendase.

Në zona të ndryshme ajo ka emërtesa të ndryshme ashtu siç edhe receta e saj mund të ndryshojë në elementët e përbërësve, disa përdorin kos ose qumësht në vend të ujit të nxehtë apo lëngut të mishit.

E megjithatë, ajo shijon mrekullisht në të gjitha mënyrat e gatuara nga amvisat.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përgatitjes së Papares me gjizë, për të rikthyer edhe njëherë traditën e dikurshme por me një përbërës ndryshe për t’i dhënë një shije krejt të veçantë gatimit.

Përgatitja e Papares me Gjizë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona. Përbërësit përzgjidhen bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani)

4-5 feta bukë

3-4 lugë gjelle me gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit)

1 gotë ujë të nxehtë ose lëng mishi

Kripë

Piper

Nenexhik ose majdanoz sipas dëshirës

3-4 lugë gjelle me gjizë të freskët

Hudhra të shtypura (Sipas dëshirës)

Përgatitja

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin ose shtojmë vajin e ullirit.

Shtojmë bukën e ndarë në copëza të vogla dhe e skuqim përreth 10 minuta duke e kaurdisur me një lugë druri.

Shtojmë kripën dhe ujin e nxehtë ose lëngun e mishit dhe vazhdojmë të kaurdisim derisa buka të thithë të gjithë lëngun.

Në fund, shtojmë gjizën, hudhrat e shtypura nëse i preferoni, rigonin dhe nenexhikun e grirë hollë i kaurdisim të gjitha bashkë dhe i largojmë nga zjarri.

Paparen e shërbejmë në pjata dhe sipër e spërkasim me disa pika gjalpë të shkrirë./AgroWeb.org