Patëllxhanë të Marinuar me Vaj Ulliri, Lezeti i Tryezës

2.1k 0

Shpesh, AgroWeb.org publikon receta shumë interesante, duke ju treguar sa ushqime të mira mund të gatuani në komoditetin e kuzhinës suaj.

Në artikullin e sotëm, ekspertët e AgroWeb.org, do të tregojnë sekretet e një recete me patëllxhanë të marinuar me vaj ulliri.

Shqiptarët njihen si mjeshtra të turshive, të cilat bëhen me çdo perime që prodhon toka duke nisur nga kungujt, patëllxhanët, domatet, lakrat e shumë të tjera.

Receta e mëposhtme është shumë e vjetër, me shumë vlera dhe shije.

Sipas saj këto patëllxhanë të marinuar në vaj ulliri janë më të mirët në botë. Receta është si vijon.

Përbërësit

  • Për 2 kavanozë të mëdhenj:
  • 2 kg patëllxhanë të prerë në feta
  • 4 thelpinj hudhër të prerë në copa
  • 1 litër uthull të bardhë ose molle
  • Rigon të freskët
  • Rozmarinë të freskët
  • Kripë
  • 1-2 speca djegës
  • Vaj ulliri

Hapi i parë

Pasi i keni larë, prijini patëllxhanët në feta dhe vendosini në një enë të gjerë. Spërkatini me kripë dhe mbulojini me një letër kuzhine.

Sipër tyre vendosni një ose disa pjata që patëllxhanët të qëndrojnë të shtypur për të paktën katër orë ose gjatë gjithë natës.

Në këtë mënyrë, patëllxhanët do të lëshojnë të gjithë lëngun dhe bashkë me të edhe shijen e athët.

Hapi i dytë

Merrni një napë kuzhine dhe thani secilën prej fetave të patëllxhanëve. Shtrydhini mirë që të jenë sa më të thatë.

Hapi i tretë

Merrni një tenxhere dhe në të zieni uthullën. Më pas shtoni patëllxhanët dhe lërini të ziejnë për 5 minuta. Kullojini dhe lërini sërish të thahen.

Patëllxhanët duhet të jenë tërësisht të thatë, por kini kujdes, përdorni një napë kuzhine, sepse uji që do të lëshojnë është i nxehtë.

Hapi i katërt

Fetat e patëllxhanit futini nëpër kavanozë së bashku me hudhrën, specat djegës dhe erëzat. Ngjeshini mirë dhe mbushini kavanozët me vaj ulliri.

Sigurohuni që patëllxhanët të jenë të mbuluar tërësisht me vaj. Mbyllini mirë kavanozët. Të nesërmen kontrollojini sërish për të parë nëse kanë nevojë për më shumë vaj ulliri.

Kavanozët mund t’i mbani të mbyllur për 6 muaj. Kavanozët e hapur qëndrojnë në frigorifer për 3 muaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.