Sherbeti është një nga përbërësit kryesor që u jep shije shumë ëmbëlsirave tradicionale shqiptare.

E ku ka kuptim bakllavaja apo kadaifi pa sherbetin? Ndaj, duke qenë se festat po afrojnë AgroWeb.org ju sjell mënyrën e duhur të përgatitjes.

Edhe pse duket shumë i lehtë për t’u përgatitur, fundja duhet vetëm të përziesh sheqerin me ujin.

Por edhe për këtë recetë kaq të thjeshtë ka një sekret që lidhet me masat e përbërësve.

Llojet e Sherbetit dhe Ëmbëlsirat ku Duhet t’i Përdorni

Nëse nuk e kishit menduar ndonjëherë, ka disa lloje sherbeti, të cilat lidhen me trashësinë.

Trashësia, që lidhet me raportin e sheqerit dhe ujit, i jep ëmbëlsirës shijen dhe butësinë e duhur.

Një nga gabimet që mund ta kemi hasur më shpesh është kur sherbet del shumë i hollë dhe ëmbëlsirës sikur nuk i jepet shija e duhur.

Sherbeti i hollë përgatitet duke përzierë tri gota ujë me një gotë sheqer. Zakonisht ky sherbet përdoret për të zbutur kekun apo biskotat siç janë hurmashicat apo sheqerparet.

Sherbeti i mesëm përgatitet duke përzierë dy gota ujë me një gotë sheqer. Ky sherbet është pak më i plotë dhe zakonisht përdoret për bakllavanë apo për kadaifin. Ai arrin të zbusë petat duke i ëmbëlsuar ato siç duhet.

Sherbeti i trashë përgatitet duke përzierë një gotë sheqer me një gotë ujë. Ky sherbet përgatitet për ëmbëlsira si tullumba, bushet veriore, apo për sallatat me fruta.

Përgatitja e Sherbetit në Mënyrën e Duhur

Një nga hapat kryesor, që mund të duket e parëndësishme, është përzierja e ujit dhe sheqerit.

AgroWeb.org ju këshillon që tek tenxherja fillimisht të hidhni sheqerin e më pas ujin e ftohtë.

Përziejeni mirë derisa të shihni që sheqeri është tretur plotësisht.

Vendoseni tenxheren në zjarr mesatar dhe lëreni të vlojë ngadalë.

Në momentin që shihni bulëza të formohen në sipërfaqen e sherbetit tuaj, ulni flakën e zjarrit.

Lëreni të ziejë për 3-5 minuta. Mos harroni se edhe koha e zierjes ndikon tek trashësia e sherbetit.

Ndaj sa më shumë ta zieni aq më i trashë do t’ju dalë sherbeti. AgroWeb.org ju këshillon që pasi të shihni bulëzat të formohen lëreni dhe 3-5 minuta e më pas hiqeni nga zjarri.

Më pas përdoreni sipas përcaktimeve që parashikon receta e ëmbëlsirës suaj./AgroWeb.org