Pak më i fortë dhe me një shije ndryshe, djathi i dhisë është një nga produktet e bulmetit që shijohet nga kushdo.

Edhe pse përgatitet me të njëjtat metoda si djathi i lopës apo ai i deles, djathi i dhisë ka sasi të tjera në lidhje me vlerat ushqyese.

Një nga vlerat më të mëdha është pikërisht acidi yndyror që ky djathë përmban, i cili luan rol kryesor në rënien nga pesha.

Duke qenë se është më i lehtë për t’u tretur sesa djathi i lopës apo ai i deles, ky djathë është perfekt për të gjithë ata që janë intolerantë ndaj laktozës.

Përbërësit

1 litër me qumësht dhie

4 lugë gjelle me lëng limoni

Përgatitja

Sigurisht që djathin e dhisë mund ta përgatisni edhe me mullëz, por AgroWeb.org ju tregon një mënyrë të thjeshtë të përgatitjes.

Në një tenxhere vendosni për të zier qumështin e freskët të pa pasterizuar të dhisë.

Pasi të ketë valuar hiqeni na zjarri dhe shtoni aty sasinë e këshilluar në recetë për lëngun e limonit.

Nëse dëshironi mund ta zëvendësoni lëngun e limonit edhe me uthull molle apo rrushi të bardhë.

Përzjejeni me një garuzhde apo lugë druri disa herë, kështu do të përshpejtoni përthithjen e limonit.

Vendoseni në zjarr të ngadaltë dhe lëreni të valojë derisa të shihni që qumështi është prerë.

Kullojeni qumështin në një copë nape, dhe hirrën e mbetur mund ta përdorni për të përgatitur shëllirën e djathit.

Napën mblidheni mirë dhe lëreni të kullojë plotësisht.

Një proces i tillë do të kërkojë rreth 3-4 orë.

Pasi të ketë kulluar i gjithë uji, djathi do të jetë gati.

Duke qenë se ky djathë nuk përmban kripë është ideal edhe për fëmijët apo për personat që vuajnë nga tensioni i lartë.

Kështu ruhet edhe shija e plotë dhe unike e djathit të shëndetshëm të dhisë.

Megjithatë nëse preferoni recetës mund t’i shtoni edhe kripë në momentin që shtoni lëngun e limonit, 1 lugë gjelle për 1 litër qumësht. /AgroWeb.org