Shumë nga lexuesit e AgroWeb.org kanë kërkuar një metodë të thjeshtë dhe pa shumë mundim për përgatitjen e mishit të lepurit.

Zakonisht lepuri përgatitet në raste festash apo gëzimesh në familje, dhe sjell një shije ndryshe në tryezën tuaj.

Edhe pse shumë persona nuk e përgatisin sepse mendojnë që kërkon shumë punë, në të vërtetë me recetën që ju sugjerojmë nuk do të mundoheni aspak.

Ndiqni këshillat dhe do të mrekulloheni me shije e një mishi të butë plot lëng dhe në të njëjtën kohë me një sipërfaqe krokante.

PËRBËRËSIT

1 Lepur,

2 thelpinj hudhër,

1 gotë verë e bardhë ose uthull të bardhë

1 gotë me ujë,

1 degë rozmarinë,

4-5 lugë vaj ulliri

Kripë

PËRGATITJA

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete fillimisht duhet të përgatisni lepurin duke e marinuar me kripë.

Mundohuni që kripën ta masazhoni në sipërfaqen e mishit në mënyrë që të shija të jetë akoma edhe më e mirë gjatë pjekjes.

Lepurin e kriposur vendoseni në një tavë dhe sipër tij hidhni gjethet e rozmarinës dhe hudhrat e grira në feta të holla.

Për një aromë më të fortë disa nga gjethet e rozmarinës vendosini edhe brenda lepurit.

Më pas shtoni verën apo uthullën e cila mund të jetë edhe molle edhe rrushi sipas dëshirës suaj.

Vazhdoni me ujin dhe vajin e ullirit, sasitë e të cilëve i gjeni në recetë.

Tavën futeni për ta pjekur në furrë të ngrohur me 200 gradë Celsius.

Telin e furrës vendoseni në shkallën e mesit të saj, kështu pjekja do të jetë e njëjtë si lartë po ashtu edhe poshtë.

Pas 10 minutash kthejeni mishin e lepurit duke treguar kujdes që mishi të mos copëtohet.

Vazhdoni të përsërisni këto hapa derisa mishi të jetë pjekur dhe lëngu në tavë të jetë përtharë plotësisht.

Më pas mjafton që ta lejoni të ftohet pak, ta prisni dhe ta shijoni.

Mishin e lepurit mund ta shijoni me patate të pjekura, të ziera sallatë, me oriz, perime por edhe thjesht duke e shoqëruar me pjata në formë antipaste./AgroWeb.org