Si të Përgatisni në Shtëpi Dredhanik me Djathë

2.4k 0

Dredhaniku i shtëpisë, i sapo dalë nga furra që mbush gjithë shtëpinë me aromën e tij është përherë ndër më të preferuarit.

Të kombinuar në shije të ndryshme, me djathë, vezë e kos, spinaq e hithra apo presh e qepë me domate, byrekët shqiptarë janë sigurisht receta më tradicionale dhe krenaria e çdo amvise shqiptare.

Përgatitja e byrekëve të shtëpisë është një mjeshtëri më vete. Nënat shqiptare mburren përherë për hollimin e petëve, delikatesën në përgatitjen e mbushjes së byrekëve apo edhe pjekjen perfekte të tyre.

AgroWeb.org sjell një recetë tipike, të dashur për të gjithë, recetën e dredhanikut me djathë.

I lehtë për t’u përgatitur ndonëse kërkon pak durim, e sigurisht shumë dashuri, dredhaniku i shtëpisë është një nga mënyrat më të mira për të kaluar një drekë apo darkë të këndshme me familjen a miqtë.

Përbërësit

500 gr miell

4 vezë

250 gr djath dhie

1 lugë gjellë miell (për mbushjen e dredhanikut)

100 ml kos

2 lugë gjelle gjalpë të shkrirë

Vaj, kripë

Përgatitja e Mbushjes

Në një tas rrahim vezët me kripë, shtojmë përbërësit e tjerë me radhë, djathin, kosin dhe një lugë gjelle me miell. Duke qenë se edhe djathi ka kripë, masës i shtojmë pak kripë duke provuar shijen, në mënyrë që parandalojmë kriposjen e tepërt.

Kur Petat i Hollojmë Vet

Si fillim përgatisim brumin. Brumin e zëmë me pak kripë dhe ujë të ngrohtë derisa të formohet. Sekreti i përgatitjes së brumit të mirë qëndron tek përpunimi me duar.

Pasi kemi përfunduar brumin e mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë të pushojë përreth 30 minuta.

Më pas, brumin e presim në kuleçë të vegjël. Përdorim pak niseshte për hapjen e tyre. Secilin prej kuleçëve të vegjël e hapim në një formë rrethi 10 cm.

Kuleçët e hapur në formë rrethi i bashkojmë tre e nga tre duke u hedhur disa pika vaji mes tyre.

Secilën nga treshet e bashkuara më pas, e hapim në një petë të madhe. Në secilën prej petave të krijuara hedhim nga dy tre lugë me masën e përgatitur me djathë, vezë e kos.

Petën e mbledhim në formë roleje dhe e vendosim në formë spirale në tepsinë, të cilën e kemi lyer me pak vaj.

Të njëjtët hapa ndjekim edhe për petat e tjera. Në fund shtrojmë gjithë roletë në tepsi. Më pas lyejmë sipërfaqen e dredhanikut me pak vaj ulliri dhe e vendosim në furrë me 200 gradë. Pjekja zgjat 30 minuta.

Kur Petat i Kemi të Gatshme

Kur petat i kemi të gatshme procesi është më pak i mundimshëm. Edhe në përgatitjen e roleve me djathë në këtë rast ndjekim të njëjtin proces si në rastin e petave të bëra vet.

Për të shmangur tharjen e petave, në një tas të vogël hedhim pak qumësht dhe pak vaj ulliri. Përmes një furçe kuzhine spërkasim të gjitha roletë e mbushura me djathë që kemi vendosur në tepsi.

Këtë proces e kryejmë edhe në fund të pjekjes së dredhanikut, sapo të kemi fikur furrën e sobës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.