Kadaifi është një tjetër ëmbëlsirë që zakonisht përgatitet në fundvit për rastin e festave.

Ai përgatitet në dy mënyra, njëra me petë e tjetra pak më e thjeshtë vetëm me kadaif.

Duke qenë se nuk kërkon shumë mund sa bakllavaja, shumë familje preferojnë ta përgatisin.

Edhe pse ka më pak përbërës, nuk do të thotë që përgatitja e tij nuk ka sekretet e veta.

AgroWeb.org ju sjell disa këshilla të cilat ju duhen që shija e kadaifit të dalë ashtu siç duhet.

Kujdes mos ju thahet kadaifi

Fijet e kadaifit janë përbërësit kryesor i kësaj ëmbëlsire.

Prej tyre madje ka marr dhe emrin e veçantë.

Ato të gjithë i blejmë të gatshme në dyqane, por ajo që mbase nuk i kushtonit vëmendje është tharja e tyre.

Për të shmangur këtë mjafton që kadaifin ta mbështillni me peceta të njomura me pak ujë.

Kështu fijet e kadaifit nuk do të thahen dhe ëmbëlsira do të përthithë siç duhet sherbetin.

Arrat dhe gjalpi, sigurisht që duhet t’i zgjidhni me merak

Një nga streset më të mëdha këto festa është dhe përzgjedhja e arrave.

Duke qenë se ato hidhërohen, i prishin shijen ëmbëlsirës dhe duke çuar harxhin dëm.

Ndaj kini kujdes që t’i zgjidhni të bardha dhe ruajini në qese letre ose napë në vend pa lagështirë.

Gjithashtu mos i thërrmoni shumë, pasi nëse i bëni pluhur ato nuk do të brumosen dhe ëmbëlsira do të bëhet e qullët.

Gjalpi nga ana tjetër duhet të jetë pa kripë dhe i freskët.

Sigurohuni që kur ta shkrini të largoni ajkën që formohet në sipërfaqen e tij.

Nëse nuk e largoni ajo do të digjet dhe do të ndikojë tek shija e ëmbëlsirës suaj.

Sherbeti i ëmbël duhet të jetë perfekt

Hapi fundit në përgatitjen e kësaj ëmbëlsire është pikërisht sherbet.

Sigurisht që edhe receta e tij ka nevojë për kujdesin e vet.

Ajo që ndikon në shijen e ëmbëlsirës është trashësia e sherbetit.

Nëse ai del shumë i hollë, atëherë kadaifi do të bëhet i qullët dhe aspak tërheqës për shijen.

Nda ana tjetër nëse është shumë i trashë, fijet e kadaifit nuk do të arrijnë të zbuten.

Në këtë rast ëmbëlsira mbetet e fortë dhe nuk do ta pëlqej askush./AgroWeb.org