Në ka një gatim që të përfshin tërësisht që në kafshatën e parë, ato janë padyshim pitalkat e Kosovës.

Të ngrohta dhe të buta, pitalkat janë bukë të rrumbullakëta dhe të vogla të kudo gjendura në çdo cep të Kosovës.

Një gatim i hershëm, pjesë e traditës dhe kulinarisë shqiptare i përgatitur me mjeshtërinë e amvisave kosovare.

Dikur, pitalkat përgatiteshin nga zonjat e shtëpisë dhe shërbeheshin të ngrohta në sofrën e ngrënies, ndërsa sot ky ushqim autentik gjendet në çdo restorant e qebaptore të Kosovës dhe është shndërruar në më të preferuarin e turistëve.

Tradicionalisht pitalka është buka që përdoret për shoqërimin e suxhukut të shijshëm të Kosovës, shoqëruar me lakra të bardha e salcë kosi.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së pitalkave në shtëpi.

Përgatitja e Pitalkave të Kosovës

Përbërësit

1 kg miell

0.5 l ujë

1 gotë qumësht

1  lugë gjelle maja buke

Kripë

Përgatitja

Në gotën e qumështit, i cili duhet të jetë i vakur, hedhim majanë e bukës, pak kripë dhe e lëmë ashtu përreth 20 minuta duke e përzierë fillimisht.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që në një enë të madhe të hidhni miellin, shtoni aty gotën e qumështit me maja, ujin, hidhni kripë dhe nisni të punoni brumin me duar derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Pasi keni përgatitur brumin, vendoseni në një enë të pastër, mbulojeni me një pecetë kuzhine dhe lëreni të pushojë përreth 1 orë e gjysmë.

Në këtë mënyrë, brumi do të fryhet sa duhet dhe do të jetë gati për përgatitjen e pitalkave.

Më pas, brumin e ardhur e lyejmë me pak miell në sipërfaqe dhe e ndajmë në katër kuleçë të vegjël.

Secilin prej kuleçëve vendoseni në një pecetë të pudrosur me miell dhe lërini të pushojnë për 30 minuta.

Ndërkohë parangrohni furrën në 200 gradë dhe fusni aty tepsinë që të ngrohet.

Më pas, kuleçët e ardhur largojini nga  peceta dhe vendosini në tepsinë e nxehtë.

Në sipërfaqen e kuleçëve, me majën e thikës bëni disa vija të lehta në formën e rombeve dhe futini në furrën e parangrohur të piqen për maksimumi 20 minuta. Shërbehen të ngrohta./AgroWeb.org