Pitet e rrumbullakëta e të sheshta janë shoqëruese shumë të mira të vakteve të ndryshme dhe zëvendësuese të shijshme të bukës tradicionale.

Ato gatuhen shumë shpejt nga amvisat dhe kur serviren të ngrohta e shoqërohen me pak djathë, ofrojnë një kënaqësi të dyfishtë në kuzhinë.

Pite të tilla mund të piqen në furrë, por edhe të tiganisen duke ofruar një shuarje të shpejtë të urisë.

Pite të tilla serviren në shumë vende të Ballkanit Perëndimor por edhe në Lindjen e Mesme.

Përbërësit:

  • 10 gramë maja të njomë
  • 250 gramë miell
  • 1 lugë çaji kripë
  • Gjysmë luge çaji sheqer
  • 100 ml kos shtëpie
  • 80 ml ujë të vakët
  • Një lugë gjelle vaj vegjetal
  • Gjalpë

Përgatitja:

Shkrijeni farën e bukës në ujë të vakët.

Përzieni miellin me sheqerin, kripën, ujin, kosin dhe në fund në enë hidhni majanë e njomë.

Përgatiteni brumin me duar ose me një mikser elektrik deri sa të gjithë përbërësit të jenë tretur në mënyrë të njëtrajtshme dhe brumi të jetë i ngjitshëm në duar.

Gradualisht shtoni dy lugë të tjera miell dhe punojeni brumin deri sa të mos ngjisë në duar.

Formoni një topth brumi, lyejeni me vaj dhe mbështilleni me një qese plastike.

Vendoseni brumin e mbështjellë në një vend të ngrohtë dhe lëreni aty për një orë.

Më pas transferojeni brumin në banakun e pastër e të spërkatur me miell dhe punojeni me duar për herë të fundit.

Ndajeni brumin në katër toptha të vegjël dhe lërini secilin të mbuluar për 20 minuta.

Më pas, përdorni petësin për të hapur piten në madhësinë e tiganit që do të përdorni.

Lërini 10 minuta pa prekur dhe më pas tiganisini një e nga një për 1 minutë në secilën anë deri sa të jenë pjekur plotësisht.

Më pas hiqini nga tigani dhe lyejeni me gjalpë.

Këto pite janë të shijshme me ose pa gjalpë dhe do të kenë një efekt plotësues për çdo gatim tjetër kryesor./AgroWeb.org

Tags: