Pogaçet e Buta – Receta e Shijshme dhe Krejt e Thjeshtë

2k 0

Nëse po kërkoni të gatuani një vakt të shijshëm, AgroWeb.org ju sugjeron një recetë super të mirë dhe tejet të thjeshtë për t’u përgatitur.

Pogaçet e kanë prejardhjen e tyre nga Turqia, pasi konsiderohet si gatim tradicional turk.

Në çdo furrë buke apo pastiçeri turke do të gjeni të tilla, të mbushura me ullinj, gjizë, djathë apo sallam.

Kur nuk keni kohë të hani mëngjes në shtëpi, pogaçet janë një zgjidhje shumë e mirë për t’i marrë me vete në shkollë apo punë, duke i shoqëruar me një filxhan çaj apo kafe.

Ndiqni në recetën më poshtë mënyrën më të mirë se si mund t’i gatuani ashtu siç duhet dhe nuk ju mbetet asgjë tjetër veçse t’i shijoni me familjarët tuaj.

Përbërësit:

500 gr miell

1 gotë vaj

1 gotë qumësht

1 gotë ujë i vakët

3 vezë

2 lugë çaji kripë

2 lugë çaji sheqer

16 gr maja birre

Përgatitja:

Gjëja e parë që duhet të dini para se të përgatisni këto pogaçe të buta, është se çdo gjë duhet të jetë në temperaturën e dhomës. Nëse përbërësit janë të ftohtë, pogaçet nuk do ju dalin aq të buta sa duhet.

Për të përgatitur këtë recetë si fillim përgatisni brumin siç bëni me atë të byrekut.

Në një enë rrihni 2 vezë, më pas shtoni qumështin, vajin dhe vazhdoni me përzierjen.

Shtoni kripën, sheqerin , miellin, majanë e birrës dhe ujin, formoni brumin e zakonshëm e të trashë.

Punojeni paksa me duar dhe lëreni në një ambient të thatë e të ngrohtë për 1 orë në mënyrë që të fryhet.

Më pas spërkasni duart me miell dhe punojeni sërish brumin tuaj dhe në fund ndajeni në kuleçë të vegjël.

Lyeni një tavë me pak vaj dhe vendosini kuleçët në të duke i lyër sipër me të verdhën e vezës.

Në fund sipas dëshirës mund t’i hidhni sipër fara susami apo fara të tjera.

Për pjekjen

Futini të piqen në furrë të parangrohur në temperaturën 200 gradë për 25-30 minuta derisa të marrin ngjyrë të artë.

Sipas dëshirës mund t’i mbushni me gjizë, djathë, salsiçe, apo edhe bosh siç janë./AgroWeb.org