Një shije e veçantë e cila vjen nga tradita veriore e Shqipërisë.

Kjo recetë është pjesë e kulturës së qyteteve si Kukës, Tropojë madje edhe Prizreni.

Qengj në tamël është një pjatë shumë e thjeshtë për t’u përgatitur por ama ka një shije të mrekullueshme.

AgroWeb.org sjell sot mënyrën e përgatitjes që ju të mund ta shijoni me familjarët tuaj.

Përbërësit

1 kg mish qengji

500 gr oriz

700 ml qumësht

300 ml lëng mishi

60 gr gjalpë

Kripë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të lani mishin e qengjit me ujë të bollshëm.

Më pas vendosni thelat e tij në një tenxhere dhe mbusheni me ujë sa të mbulohet mishi.

Nëse mishin nuk e keni të prerë, atëherë me ndihmën e një thike ndajeni në copa mesatare.

Vendoseni tenxhere në zjarr të ngadaltë dhe lëreni mishin që të ziejë duke i shtuar pak kripë.

Për të provuar nëse mishi i qengjit është zier mjafton ta shponi me një pirun.

Nëse piruni depërton lehtë tek thelat e mishit, atëherë ai është zbutur, nëse keni vështirësi për të shpuar mishin atëherë ka nevojë edhe për pak kohë.

Ndërkohë lajmë edhe orizin në ujë të rrjedhshëm duke përdorur sitën e miellit për më shumë lehtësi.

Ky hap nuk duhet anashkaluar pasi bën të mundur largimin e niseshtesë së tepërt që përmban orizi.

Pasi ta kemi kulluar mirë e kalojmë në një tavë të cilën e kemi lyer me gjalpë.

Orizin e përhapim në të gjithë sipërfaqen e tavës e mbi të vendosim thelat e mishit të qengjit.

Mbi thelat e mishit vendosim nga pak gjalpë kështu ai do të krijojë një kore krokante dhe të shijshme.

Në një tenxhere të dytë keni vendosur qumështin që të ngrohet, pasi për këtë recetë ai ka nevojë që të jetë i nxehtë.

Tani AgroWeb.org ju këshillon që qumështin e valuar ta hidhni në tavë.

Kur të keni mbaruar me qumështin, radhën e ka lëngu i mishit, Shtojeni edhe atë në tavë.

Tavën piqeni në furrë të ngrohur me 190 gradë për 20-30 minuta.

Do të shihni që kur qumështi të jetë mpiksur dhe mishi të ketë marrë një ngjyrë të artë në sipërfaqe tava do të jetë gati.

Lëreni pak të ftohet, pasi kështu do të mpikset akoma edhe më mirë tava, dhe mund ta shërbeni./AgroWeb.org