Qofte Shtëpie Me Salcë Arrash – Nga Më të Mirat E Traditës

1.5k 0

Tradita e kuzhinës shqiptare ofron një larmishmëri recetash e gatimesh speciale, nga ato që tërheqin oreksin me shijen e tyre fantastike.

Një prej këtyre recetash, qoftet me salcë arrash është ndër gatimet me shijen më të përkryer që lezetosin tryezën kur i përgatit e shërben.

Përgatitja e qofteve dhe recetat e pafundme në kombinimin e tyre me perime nga më të ndryshme a me mish të grirë, të përgatitura thjeshtë e të shoqëruara me salcë domatesh, arrash e të tjera përbërës janë një mënyrë ideale për të kënaqur gjithë familjen.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë tradicionale të përgatitjes së qofteve të shtëpisë me salcë arrash, një kombinim perfekt shijesh e aromash.

Përgatitja e Qofteve me Salcë Arrash

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 3-4 persona)

  • 500 gr mish i grirë
  • 1 kokërr qepë
  • 4-5 thelpinj hudhra
  • 1 kokërr vezë
  • Gjysmë filxhan çaji me arra të shtypura
  • Një lugë gjelle majdanoz
  • Dy lugë gjelle miell
  • Gjysmë filxhan çaji me verë të bardhë
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri

Përgatitja

Përgatitet masa e qofteve si zakonisht por në vend të bukës i hidhet pak miell, pastaj hidhen mishi i grirë, veza, qepa, hudhrat, majdanozi, kripa dhe piperi.

Pasi përpunohet brumi, priten disa copëza të vogla për çdo racion.

Secilës prej copëza u jepet një formë sferike e cila nuk duhet të jetë më shumë se një kokërr arrë.

Më pas të gjitha qoftet i kalojmë në miell dhe i skuqim në vaj të nxehtë.

Pasi janë skuqur të gjitha qoftet, në tigan hedhim miellim dhe e kaurdisim derisa të zverdhet.

Në këtë moment hedhim verën, lengun e mishit ose ujë, dhe sapo të nisë të marrë një valë e hedhim në një tavë, në të cilën më parë kemi vendosur qoftet.

Pasi qoftet të marrin një valë me salcën shtohen arrat e shtypura mirë dhe të holluara me pak lëng.

Tava vendoset në zjarr ose në furrë të parangrohur edhe për 10-15 minuta të tjera.

Shërbehet e ngrohtë e ndarë në pjatanca dhe me pak majdanoz të grirë hollë sipër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.