Qumështor Special me Kanellë – Receta me Ëmbëlsi të Lehtë

8.5k 0

Receta të ëmbla apo të kripura, të gatuara prej shekujsh me radhë, të trashëguara brez pas brezi e kanë shndërruar kuzhinën shqiptare në një nga më të veçantat e kulinarisë.

Një qumështor nga duart e amvisave shqiptare do të magjepste këdo me shijen e tij.

Është një nga ëmbëlsirat më të shijshme të kuzhinës shqiptare.

Përgatitur nga mjeshtëria dhe dashuria e amvisave shqiptare, unik, delikat e kremoz, qumështori është ndër ëmbëlsirat më tunduese të shijes.

I lehtë plot shije dhe fantastik, ndër të preferuarit në raste festash, qumështori ka mahnitur me shijen e tij këdo që e ka provuar.

Receta e qumështorit është traditë e të gjitha trevave shqiptare.

AgroWeb.org përcjell më poshtë recetën e re të përgatitjes së qumështorit me kanellë në shtëpi. Një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar gjithë familjen, por edhe miqtë dhe të afërmit tuaj.

Përgatitja e qumështorit në shtëpi.

Përbërësit:

  • 1 litër e gjysmë qumësht
  • 10 kokrra vezë
  • 10 lugë gjelle miell
  • 10 lugë gjelle sheqer
  • 1 lugë e gjysmë gjelle kanellë
  • 50 gramë gjalpë
  • Pak vanilje (sipas dëshirës)

Përgatitja:

Hedhim në një tas vezët e më pas sheqerin dhe i rrahim pa ndërprerje derisa masa të njëtrajtësohet.

Më pas shtojmë, gjalpin të cilin më parë e kemi shkrirë. AgroWeb.org ju këshillon që gjalpin para se ta hidhni në masën e vezëve dhe sheqerit të siguroheni që të jetë jo i ngrohtë.

Më pas hedhim miellin bashkë me kanellën dhe e përzjejmë pa pushim në mënyrë që mielli të mos krijojë kokrriza.

Pasi masa të jetë bërë e njëtrajtshme shtojmë qumështin dhe i përzjejmë të gjitha bashkë.

Masën siç e kemi të lëngshme e hedhim në një tepsi ose tavë qelqi, të cilën më parë e kemi lyer përmes një furçe kuzhine me pak gjalpë.

Tepsinë me qumështor ose tavën e qelqit e fusim në furrë, të cilën më parë e kemi nxehur në temperaturën 200 gradë celcius.

Qumështorin e lëmë të piqet derisa pjesa e sipërfaqes së qumështorit të marrë ngjyrën e artë të pjekjes dhe masa të jetë mpiksur.

Pasi fiket furra, qumështori lihet edhe për 30 minuta në nxehtësinë e sobës. Kur e servirim, sipër e spërkasim me pak kanellë./AgroWeb.org