Tregjet janë të tejmbushura me qershi vendi, të ëmbla, të freskëta e plot lëng.

Padyshim këto fruta fantastike kokërrkuqe, këto ditë nuk mungojnë në tryezat e shqiptarëve.

Por më të ëmblat dhe më të mirat e stinës kanë një shije edhe më magjepsëse kur përgatiten në recetën tradicionale të amvisave shqiptare, atë të reçelit.

AgroWeb.org sjell më poshtë mënyrën fantastike për të përgatitur reçelin e qershisë krejt lehtë në shtëpi.

 Përgatitja e Reçelit të Qershisë

 Përbërësit

 (Sasia e qershive përzgjidhet bazuar në sasinë e reçelit që dëshironi të përgatisni, përbërësit më poshtë janë për 1 kg qershi)

 1 kg qershi

800 gr sheqer

½ gotë ujë

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni qershi të pjekura mirë dhe të pa copëtuara. Pastrohen mirë me ujë të rrjedhshëm, shpëlahen, kullohen, vendosen në një enë të madhe dhe pastrohen nga bishtat dhe bërthamat.

Lërini në një enë të madhe përreth një orë në mënyrë që lëngu i tyre të kullojë, të cilin më pas do ta përdorni gjatë përgatitjes së qershive.

Hidhet sheqeri në një tenxhere, hidhet uji dhe lëngu i qershive dhe lihen të zjejnë të gjitha bashkë përreth 10 minuta.

Më pas shtohen qershitë, lihen të zjejnë sa të marrin një valë dhe më pas lihen të ftohen.

Pasi të jenë ftohur largoni qershitë nga shurupi, lërini mënjanë dhe shurupin e vendoseni në zjarr që të zjejë.

Lëreni të zjejë aq sa po të hedhim një pikë në pjatë ajo do të ruajë formën.

Në këtë moment e heqim nga zjarri dhe hedhim brenda qershitë.

I lëmë të zjejnë përsëri në zjarr të ngadaltë derisa në sipërfaqe të dalë shkumë.

Hidhet pak limontoz (një lugë kafeje) ose lëng limoni (lëngun e një gjysme kokrre limoni) që të mos sheqeroset dhe hiqet nga zjarri, lihet të ftohet në enën ku u përgatit dhe më pas hidhet në kavanoza qelqi.

Ruhet në vend të freskët dhe pa lagështirë./AgroWeb.org