Mesniku është pjesë e gatimeve tradicionale e shumë zonave të Shqipërisë.

Ky byrek përgatitet duke kombinuar petët me lëngun dhe mishin e pulës së detit.

Në zonën e Kolonjës pula e detit quhet ndryshe Miska nga ku ka marrë emrin ky gatim.

Por ndryshe nga ne, Maqedonasit këtë recetë e përgatisin duke mbushur petët me djathë, spinaq, presh ose mish të grirë dhe në fund i mbledhin petët në formë roleje.

Pra në recetat Maqedonase mesnik është ajo që ne quajmë dredhanik.

AgroWeb.org ju sjell recetën klasike të përgatitjes së mesnikut në Maqedoni në disa hapa shumë të shkurtër.

Përbërësit:

700 gr miell

14 gr maja

1 lugë çaji sheqer

50 ml vaj

1 lugë çaji kripë

200 ml ujë mineral i gazuar

ujë të vakët nëse është e nevojshme

mbushje sipas dëshirës (spinaq, djathë, mish i grirë, lakër turshi)

Përgatitja:

Bashkoni në një enë majanë dhe pak ujë të vakët.

Pasi t’i përzieni mirë shtoni 1 lugë gjelle miell dhe 1 lugë çaji sheqer.

Lëreni përbërjën mënjanë për disa minuta dhe më pas shtoni miellin, vajin, kripën dhe ujin mineral.

Zini brumin me duar dhe shtoni ujë nëse është e nevojshme në mënyrë që ai të zbutet.

Më pas ndajeni brumin në kuleçë të vegjël, lyejini me pak vaj dhe lërini kuleçët të ngrihen për rreth 20 minuta.

Pas kësaj kohe, hapni me duar secilin prej kuleçëve në formë rrethore rreth 15 cm.

Trasferojini në tavolinën e punës dhe me një petës hapni secilin prej tyre.

Spërkatini petët me vaj dhe shtroni në të mbushjen e përgatitur.

Mblidhini petët në formë roleje dhe vendosini në tepsi në formë spirale duke filluar nga qendra.

Piqeni në 250 gradë për 20-25 minuta derisa mesniku të marrë një ngjyrë të bukur të artë.

Pas pjekjes mbulojeni byrekun me një peshqir dhe më pas shërbejeni me dhallë./AgroWeb.org