Receta e Shijshme e Qofteve të Shtëpisë Me Salcë Kosi

60 0

Amvisat shqiptare zakonisht preferojnë mishin e viçit për përgatitjen e qofteve të shijshme sa më s’ka.

Megjithatë simotrat e tyre në Ballkan përdorin rëndom edhe mishin e gjelit të detit ose të qengjit për përgatitjen e qofteve të shtëpisë.

Qofte Me Mish Qengji Të Shoqëruara Me Salcë Kosi

Duke lexuar më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë interesante për përgatitjen e qofteve me mish të grirë qengji e të shoqëruara me salcën e kosit.

Mishi i qengjit është i shijshëm dhe ka nevojë për pak marinim, ndryshe nga mishi i derrit, viçit apo lopës.

Përbërësit:

1 limon mesatar

2 lugë gjelle kopër të freskët të grirë hollë,

Gjysëm filxhani me salcë kosi,

1 lugë çaji kripë,

Gjysëm luge çaji piper të zi pluhur

450 gramë mish qengji,

2 lugë çaji rigon të thatë,

2 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër.

Përgatitja:

Kaloni limonin në rende dhe grimcat e lëkurës lërini mënjanë në një enë ku do të përgatisni brumin e qofteve.

Më pas limonin shtrydheni dhe lëngun hidheni në një enë të vogël ku duhet të shtoni koprën e grirë, salcën e kosit, pak kripë dhe pak piper të zi.

Përziejini mirë me njëra tjetrën, vendosni kapakun dhe enën mbajeni në frigorifer.

Në enën tjetër ku keni lënë grimcat e lëkurës së limonit, hidhni mishin e grirë të qengjit, dy lugë çaji rigon të thatë, pjesën e mbetur të kripës dhe të piperit të zi.

Punojeni brumin e qofteve me duar në mënyrë që të gjithë përbërësit të kombinohen me njëri tjetrin.

Jepini formë qofteve dhe vendosini në një tepsi ku keni shtruar një letër pjekjeje.

Shtoni vajin e ullirit dhe futeni tepsinë në furrë.

Lërini qoftet të piqen për 15 minuta duke u kujdesur që t’i ktheni në të dyja anët që të piqen siç duhet.

Pasi qoftet të jenë pjekur, qoftet mund t’i shoqëroni me salcën e kosit me kopër.

Këto qofte mund të përgatiten, të ruhen në frigorifer dhe të piqen edhe dy ditë më vonë.

Qoftet e mbetura mund të ruhen në një enë më kapak, në frigorifer për deri në 3 ditë./AgroWeb.org