Salca Më e Mirë e Gogozhareve Në Pak Minuta – Receta e Thjeshtë e Shtëpisë

928 0

Salca e gogozhareve është një zgjidhje plot shije për tryezën, mjaft e përshtatshme për të shoqëruar çdo gatim të shtëpisë.

Salca e gogozhareve ose ajvari është një gatim tradicional kryesisht i zonës veriore dhe verilindore të Shqipërisë, ndërsa në fakt receta është një traditë e pothuajse të gjitha vendeve të Ballkanit.

E përgatitur me disa nga përbërësit më të shijshëm siç janë specat e kuq, patëllxhanët, karrotat, hudhrat e majdanozi, salca është ndër zahiretë më të shijshme që nuk duhet të mungojë absolutisht në kuzhinën tuaj.

Salca e gogozhareve është një nga ushqimet shoqëruese më të mira për çdo vakt të ditës dhe mjaft njerëz madje e preferojnë edhe si pjesë të mëngjesit përveç vakteve më tradicionale.

Kjo salcë e përgatitur nga amvisat shqiptare shumë e shumë dekada më parë dhe AgroWeb.org u sjell më poshtë recetën tipike të përgatitjes së tij.

Përgatitja e Salcës së Gogozhareve Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

  • 12 speca të mëdhenj të kuq
  • 2 patëllxhanë
  • 1 karrotë
  • 3 thelpinj hudhra
  • Majdanoz i freskët (një tufë e plotë)
  • Vaj ulliri
  • Një lugë gjelle uthull ose lëng limoni
  • Kripë
  • Piper i kuq djegës (sipas dëshirës)

Hapat e duhur

Si fillim pastrojmë specat, u largojmë farat dhe i fusim në furrë të piqen. Pasi janë pjekur i heqim nga furra dhe u largojmë lëkurën.

Për të larguar sa më lehtë lëkurën e specave, AgroWeb.org ju sugjeron që sapo t’i hiqni nga furra, specat vendosini në një qese letre ose mund të përdorni edhe letrën mbështjellëse të bukës.

Pasi u keni larguar lëkurën, prijini në feta të vogla dhe kalojini në mikser.

Prisni karrotat, kalojini edhe ato në mikser, por mos i lini të bëhen krejt pure’. Të njëjtën proces bëni edhe me patëllxhanët.

Në vijim, AgroWeb.org ju këshillon të hidhni vaj ulliri në një tenxhere dhe lëreni në zjarr deri sa të nxehet.

Më pas hidhni aty patëllxhanët dhe karrotat, përziejini derisa të avullojë uji që do të lëshojnë.

Shtojmë specat e bluar në tenxhere dhe i përzjejmë vazhdimisht  derisa masa të trashet.

Hidhni edhe 2-3 lugë gjelle vaj ulliri, kripë, shtohet majdanozi i grirë hollë, pak piper i kuq djegës dhe përzihen mirë.

Më pas, salca e nxehtë hidhen në kavanoza dhe në secilin prej kavanozave u hidhet lart një lugë çaji me vaj ulliri.

Kavanozët mbyllen, ulen kokëposhtë dhe lihen të ftohen. Më pas ruhen në frigorifer dhe mund të zgjasin për 4-5 muaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.