Salcë me Kungulleshka dhe Borzilok – Perfekte Për të Shoqëruar Çdo Recetë

1.6k 0

Salcat mund të themi se janë i gjithë lezeti i tryezës dhe gatimeve.

Shijimi i tyre fillon që nga mishi e deri tek brumrat e ndryshëm.

Nëse gjeni mënyrën e duhur për t’i kombinuar recetat tuaj me ndonjë salcë të freskët, pikante apo aromatike pa dyshim që do të shtoni edhe shumë shije.

Sot do të ndalemi tek salcat e freskëta e aromatike, një përzierje e kungulleshkave me një sërë erëzash do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Merrni të gjithë këshillat e duhura nga AgroWeb.org si mëposhtë dhe filloni me përgatitjen e kësaj delikatese të kuzhinës.

Salcën që do të sugjerojmë sot mund ta kombinoni me makarona, mish apo edhe ta hidhni brenda sallatës tuaj të preferuar.

Përbërësit

4 kungulleshka jeshile

50 gr bajame ose arra

50 gr djathë kaçkavall i grirë

1 tufë borzilok, mente ose majdanoz

1 thelbi hudhër

Vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të prisni kungulleshkat në kubikë të vegjël dhe t’i vendosni në një tigan.

Shtoni aty pak ujë, pak vaj ulliri dhe një thëlbi hudhër, kripë e piper sipas shijeve tuaja.

Ndizni zjarrin dhe lërini kungulleshkat të gatuhen për 10 minuta, derisa të zbuten paksa.

Kur të jenë gati hiqni nga zjarri dhe lërini të ftohen, më pas hidhini në një mikser duke vendosur nëse doni ta ruani thelbin e hudhrës apo jo dhe shtoni gjethet e borzilokut.

Për këtë recetë mund të përdorni edhe mente apo majdanoz nëse nuk ju gjendet borzilok në shtëpi.

Shtoni djathin e grirë, bajamet ose arrat dhe përziejini në një miker të gjithë përbërësit derisa të shpërbëhen.

Nëse shikoni që salca ka mbetur pak e trashë, mund të shtoni shumë pak ujë ose vaj në mënyrë që të hollohet dhe vazhdoni me përzierjen për disa sekonda.

Kur të shikoni që salca është gati hiqeni nga mikseri dhe vendoseni në një enë të mbyllur qelqi.

Më pas mund ta ruani në frigorifer deri në 5 ditë dhe ta përdorni për gatime të ndryshme.

Një mënyrë siç shpjeguam edhe mësipër do të ishtë si salcë makaronash, por mund të lyeni bukën e thekur apo ta hidhni nga pak brenda sallatës jeshile./AgroWeb.org