Sallam Çokollatë – Receta Origjinale e Traditës Shqiptare

2k 0

Një traditë e ëmbël dhe mbi të gjitha shumë e shijshme. Të gjithë fëmijët e para viteve 90 e kujtojnë me nostalgji shijen e çokollatës së shtëpisë me biskota e arra, që për shkak të formës së saj të rrumbullakët kishte marrë emrin, sallam çokollatë ose sallam kakao.

Receta e saj ende ruhet nga amvisat shqiptare në fletoret e vjetra, të cilat asokohe kalonin dorë më dorë dhe disa ruhen sot e kësaj dite.

AgroWeb.org ju sjell recetën origjinale të sallam çokollatës marrë pikërisht nga një fletore recetash, e ruajtur me kujdes.

Përbërësit

200 gr çokollatë e zezë ose 4 lugë kakao e hidhur

250 gr biskota të thata pa yndyrë

1 filxhan çaji arra të prera në copa të vogla

100gr gjalp në temperaturë ambjenti (i cilësisë më të mirë por pa shumë aromë)

100gr sheqer

2 të verdha veze

Pak kafe të bluar nëse dëshironi

Receta origjinale është vetëm me biskota dhe arra, por mund t’i shtoni lajthi, fistikë apo bajame të qëruara nëse dëshironi.

Nëse ju pelqen shija e fortë e çokollatës pa shumë sheqer mund të zëvendësoni gjysmën e sheqerit me kakao pluhur.

Përgatitja:

Fillimisht, shkrini në banjomari ose në zjarr shumë të ulët cokollatën e zezë derisa të përftoni një krem pa kokërriza dhe e lini të ftohet në temperaturë ambjenti.

Në rast se do të përdorni kakao pluhur, do ta lini siç është.

Therrmoni biskotat me duar në copa jo shumë të vogla dhe i lini mënjanë. Po ashtu veproni me arrat.

Në një enë tjetër, punoni me nje spatul ose pirun gjalpin në temperaturë ambjenti, të cilit i shtoni pak nga pak sheqerin, të verdhat e vezëve, çokollatën tashmë të ftohur ose kakaon pluhur.

I përzieni mirë këta përbërës, duke shtuar në fund edhe biskotat e copëtuara dhe arrat dhe vazhdoni perzierjen derisa të gjitha copëzat e biskotave të jenë veshur me kremin me cokollatë.

E vendosni përberjen në një letër furre dhe mundohuni t’i jepni formë cilindrike duke e rrotulluar. Mbështilleni sallamin prej çokollate me letrën e kuzhinës dhe vendoseni në frigorifer në ngrirje , në menyrë që të forcohet për të paktën 2 apo 3 orë.

Kur të jetë gati, priteni në feta dhe shërbejëni. Nëse dëshironi i hidhni sipër sheqer pluhur./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.