Deti është shtëpia e thesareve më të çmuara. Një prej këtyre thesareve janë sardelet.

Ndër të parat që sakrifikohen në zinxhirin ushqimor ujor, sardelet konsiderohen një mik i mirë i shëndetit të njeriut. Këta peshq janë të mbushur me vlera ushqimore dhe shëndetësore të jashtëzakonshme, që i zgjasin jetën njeriut.

Sardelet mbajnë emrin e Sardenjës, ishullit fantastik italian ku edhe u zbuluan dikur, jo larg brigjeve Shqiptare.

Duke qenë në fund të zinxhirit ushqimor detar, sardelet ushqehen vetëm me bimë detare, e si rrjedhojë nuk kanë përmbajtje të lartë të metaleve të rënda si mërkuri apo toksina që gjenden në peshqit e tjerë si salmoni apo toni.

Kjo i bën sardelet të preferuara për njerëz që shqetësohen për nivelet e larta të ndotjes së deteve dhe oqeaneve, por edhe për fëmijët dhe gratë.

Shqipëria ka një histori të pasur të peshkimit dhe përpunimit të sardeleve. Statistikat e Ministrisë së Bujqësisë thonë që eksportet shqiptare të sardeleve dhe açugeve përbëjnë 21-22 përqind të të gjithë eksporteve të produkteve bujqësore.

Vetëm në një nga vitet e fundit, vendi ka eksportuar mbi 40 milionë USD të prodhimeve të peshkut, ku sardelet mbajnë një nga vendet e para.

Në Shqipëri ndodhen një sërë zonash të njohura për përpunimin e peshkut që plotësojnë nevojat vendase dhe rajonale për peshk.

Eksportet e produkteve të tilla janë shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare sipas ekspertëve.

Lista e dëshirave për peshq dhe fruta deti kryesohet nga peshqit e mëdhenj, e megjithatë shqipëtarët i kanë sardelet fort për zemër, sepse ndonëse të vogla, ato janë pjesë e cdo meze të shijshme.

Ajo që nuk dinë shqiptarët është se popullariteti mbarëbotëror i sardeleve u bë i mundur nga vetë Napoleon Bonaparti.

Ishte gjenerali i famshëm pikërisht ai që sugjeroi përpunimin e sardeleve, duke i bërë ata të parët peshq që u paketuan në botë—për të plotësuar nevojat për ushqim të kombeve që ai kishte pushtuar.

Sardelet fituan famën e plotë në shekullin e 20 sidomos pas inovacioneve në përpunimin e tyre.

Popullariteti i tyre është rritur ndjeshëm, pasi ato sardelet janë të pasura me acide yndyrore Omega 3 dhe vitaminë D.

Por edhe për faktin që duke qenë se sardelet ushqehen vetëm me alga dhe plankton janë krejtësisht të sigurt për njerëzit.

Sardelet gjenden me bollëk në detet e Oqeanit Atlantik, Paqësor, në Mesdhe, Spanjë, Portugali, Francë dhe Norvegji.

Këto vendet janë prodhuesit dhe përpunuesit më të mëdhenj të sardeleve të paketuara por edhe Shqipëria dhe Greqia nuk mbeten pas.

Përzgjedhja dhe ruajtja e sardeleve

Sardelet e paketuara janë të mbushura me vaj ulliri. Këto janë më të preferuara se ato të zhytura në vaj soje apo vaj luledielli.

Njerëzit që kanë merak nivelin e yndyrës mund të zgjedhin sardelet e ruajtura në ujë, por shija nuk do të jetë e njëjtë.

Në përzgjedhjen e sardeleve mos harroni të shikoni datën e skadencës për të kuptuar më shumë rreth freskisë së tyre.

Nëse keni mundësinë të bleni sardele të freskëta, duhet të zgjidhni ata peshq të fortë me lëkurë që shkëlqen dhe sy ndriçues.

Vlerat shëndetësore të sardeles

Mbron zemrën

Sardelet janë të pasura me vlera të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të zemrës. Ato janë një burim i pasur me vitaminë B12. Ato kanë kalcium, hekur dhe potasium.

Mbron kockat

Sardelet janë një burim i pasur me vitaminën D që njihet si një element i rëndësishëm për shëndetin e kockave, duke qenë se ndihmon në përthithjen e kalciumit.

Sardelet janë gjithashtu të pasura me fosfor, një mineral i rëndësishëm në fuqizimin e strukturës kockore dhe në luftimin e sëmundjes së osteoporozës.

Sardelet janë të pasura me proteina

Sardelet janë të pasura me proteina të cilat na japin amino acidet për të cilat kemi nevojë. Trupi ynë i përdor amino acidet për të krijuar proteina të reja, që shërbejnë si bazë e rëndësishme për qelizat e trupit.

Proteinat formojnë edhe bazën e muskujve dhe indet lidhorë, forcojnë sistemin imunitar, dhe shpërndajnë oksigjenin dhe lëndët ushqyes në gjithë trupin./AgroWeb.org