Sekretet e Përgatitjes së Pispilisë me Hithra, Kos dhe Vezë

2.5k 0

Pispilija është një nga recetat e traditës së vjetër shqiptare dhe shija e saj mrekullon gjithmonë.

E kombinuar me spinaq, djathë, qepë të njoma apo me kunguj të njomë, pispilia nuk zhgënjen asnjëherë.

Këtë herë AgroWeb.org ju sjell një recetë pak më ndryshe të përgatitjes së këtij gatimi, duke përdorur kos dhe vezë.

Një kombinim i tillë bën të mundur që brumi i pispilisë të jetë i butë dhe i shkrifët, dhe ndërkohë shija e hithrave të mos humbasë.

Gjithasht ju do të gjeni dhe disa sekrete të cilat ju japin mundësinë që të përgatisni këtë recetë në mënyrën e duhur.

Përbërësit

  • 1 kg hithra
  • 3 gota miell misri
  • Ujë i vakët
  • Kripë
  • 3 lugë gjelle me vaj ulliri
  • 150 g djathë i bardhë i thërrmuar ose gjizë
  • 1 kokërr vezë
  • 1 gotë me kos

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të qëroni hithrat dhe më pas t’i lani në ujë të bollshëm.

Ndërkohë vendosni një tenxhere me ujë në zjarr dhe lëreni derisa të ketë valuar,

Hithrat futini që të zbuten tek uji i nxehtë për 5 minuta e më pas kullojini.

Sigurohuni që t’i largoni të gjithë ujin e tepërt që mund të kenë mbledhur.

Vendosini hithrat në një tas dhe vazhdoni me përgatitjen e brumit.

Në një tas hidhni miellin dhe kripën dhe filloni të shtoni ujin e vakët.

Sekreti është që ujë duhet të shtoni aq sa brumi të jetë i plotë dhe jo i ujshëm.

Lyeni tavën me një lugë vaj ulliri dhe me lugë kaloni brumin me miell misri duke e hapur me duar në sipërfaqen e tavës.

AgroWeb.org ju këshillon që të krijoni një shtresë rreth 1 cm me brumin me miell misri.

Ndërkohë përgatisni mbushjen e pispilisë.

Hithrat pritini me thikë në mënyrë që ta keni më të lehtë përzierjen e tyre.

Shtoni aty vajin e ullirit dhe djathin apo gjizën sipas preferencës suaj.

Në fund hidhni dhe 1-2 lugë kos dhe përzjejeni të gjithë masën.

Kini kujdes tek sasi a e kripës që do të hidhni, pasi nëse djathin e keni zgjedhur me kripë atëherë duhet të shtoni më pak.

Pasi ta keni përgatitur mbushjen shtrojeni tek tava mbi shtresën me miell misri.

Tani AgroWeb.org ju tregon përgatitjen e salcës që i jep kësaj recete dhe shijen e veçantë.

Në një pjatë të thellë thyeni një vezë dhe aty shtoni kosin dhe pak miell.

Përzjejeni mirë me një pirun në mënyrë që masa të jetë e njëtrajtshme.

Këtë salcë që sapo përgatitët hidheni mbi shtresën e hithrave dhe përhapeni në mënyrë që të mbuloni të gjithë sipërfaqen.

Tani ju mbetet vetëm ta fusni në furrë për ta pjekur në 170 gradë.

Duke e vendosur njëherë në shkallën më të ulët të furrës e më pas duke e ngritur që të piqet dhe nga lartë.

Kjo mënyrë pjekjeje bën të mundur që hithrat të zbuten dhe të mos mbeten të forta duke i prishur shijen pispilisë.

Pasi të jetë pjekur plotësisht, lëreni të ftohet pak dhe mund ta servirni./AgroWeb.org