Sekreti i Pjekjes Ideale dhe më të Shpejtë të Patateve në Furrë

4.3k 0

Patatet e pjekura në furrë, me apo pa mish janë padyshim ndër recetat më fantastike.

Veçanërisht tani që është ftohtë, të pjekura në furrë për drekë apo edhe për darkë ato janë perfekte për t’u përgatitur.

Por pjekja e tyre jo gjithmonë rezulton e suksesshme. Ndonjëherë ato zbuten më shumë nga sa duhet, e herë të tjera më të forta apo të papjekura më mirë.

Por ka një sekret që e bën pjekjen e tyre në furrë të përsosur, të cilin AgroWeb.org e sjell më poshtë, në mënyrë që t’i shijoni në mënyrë të përkryer sa herë që i përgatisni.

Përgatitja e Përkryer e Patateve të Furrës

(Sasia e përbërësve përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani. përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona) 

  • 1 kg patate
  • Kripë
  • Një lugë gjelle gjalpë të freskët
  • Dy lugë gjelle vaj ulliri
  • Rozmarinë ose rigon (erëzat i përzgjidhni sipas dëshirës)

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndizni furrën në temperaturë maksimale në mënyrë që të ngrohet para se të fusni patetet për t’u pjekur.

Gjithë sekreti qendron tek zierja e patateve para se t’i fusni në furrë.

Vendosni një tenxhere me ujë në zjarr dhe lëreni derisa uji të nis të vlojë.

Në këtë moment shtoni patatet me gjithë lëkurë por të cilat më parë i keni pastruar me ujë të bollshëm.

Por kujdes, AgroWeb.org ju këshillon që nëse janë patate të reja atëherë duhet t’i lini 5-7 minuta të ziejnë nga momenti kur uji ka nisur të vlojë.

Nëse patatet janë të vjetra atëherë lërini 10 deri në 12 minuta.

Menjëherë sa të mbaroni këtë proces kalojini patatet në një enë me ujë të ftohtë në mënyrë që të ndërpritet procesi i zierjes.

Më pas, qërojini patatet nga lëkura. Ndajini në feta jo shumë të holla dhe vendosini në një tavë. Nëse patatet janë të vogla atëherë thjeshtë qerojini pa i prerë fare.

Hidhuni kripë sa dëshironi dhe erëzat që dëshironi, spërkatini me vaj ulliri dhe gjalpin të cilin më parë e keni shkrirë dhe përzjeini me njera tjetrën.

Në rastin e patateve të reja hidhuni patateve sipër 4-5 lugë gjelle me ujë.

Ndërsa në rastin e patateve të vjetra hidhuni një gotë ujë (250 ml) dhe futini në furrë të piqen.

Në këtë mënyrë, patatet do të piqen shumë shpejt. Shija e tyre do të jetë e mrekullueshme falë butësisë nga brenda dhe pak krokante nga jashtë.

Lërini të piqen për 20 minuta derisa të marrin pak ngjyrë të kuqërremtë në sipërfaqe.

Në këtë mënyrë mund t’i përgatisni edhe me mish të cilin duhet ta keni zierë më parë por jo plotësisht.

Në këtë rast, në vend të ujit patateve mund t’u hidhni nga lëngu i mishit që keni zjerë.

Konsumojini të ngrohta dhe mund t’i shoqëroni me gatime apo mishra të ndryshëm./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.