Shija Perfekte e Rizotos me Angjinare – Receta e Shpejtë

411 0

Kjo pjatë është delikate në shije dhe përgatitet shumë shpejtë e pa shumë mundim.

Aroma karakteristike e angjinares forcohet përmes erëzave dhe bëhet akoma edhe më e këndshme.

Angjinaret marinohen lehtë me pak kripë dhe kalohen në tigan me pak vaj ulliri dhe bashkohen me orizin kremoz.

Një kombinim plot vlera, i shëndetshëm por edhe me shije fantastike.

Përbërësit

320g oriz

1 litër me lëng perimesh

50g djathë kaçkavall

20ml vaj ulliri

Gjysmë gote verë e bardhë

Trumzë

30g gjalpë

Kripë

Piper i zi

Për angjinare

400g angjinare

30ml vaj ulliri

1 qepë mesatare

1 thelbi hudhër

Trumzë

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

AgroWeb.org ju sugjeron që të filloni me pastrimin e angjinareve duke larguar gjethet e sipërfaqes.

Më pas pritini ato në dy pjesë dhe filloni t’i grini sa më imët.

Vendosini angjinaret në një enë ku keni hedhur ujë dhe pak kripë.

Ndërkohë që në zjarr keni vendosur një tigan që të ngrohet, filloni të grini qepën dhe hudhrën.

Kur tigani të jetë ngrohur shtoni vajin e ullirit dhe hudhrën për të marrë një të skuqur të lehtë.

Më pas shtoni qepën, përziejeni mirë derisa volumi i saj të bjerë.

Më pas hidhni angjinaren dhe jepini shije me piper të zi, trumzë dhe shumë pak kripë.

Skuqini mirë duke i përzierë herë pas here me një lugë druri që të mos ngjiten.

Ndërkohë AgroWeb.org ju këshillon që të vendoni një tenxhere në zjarr dhe aty të hidhni vajin e ullirit dhe gjalpin.

Skuqni lehtë orizin dhe më pas shtoni verën e nevojitur, ky përbërës është sipas dëshirës.

Nëse nuk dëshironi mund të shtoni sasinë e lëngut të perimeve.

Kur orizi të jetë skuqur shtoni angjinaren dhe në fund sasinë e lëngut të perimeve.

Pasi të keni grirë djathin kaçkavall shtojeni edhe atë tek orizi dhe përzieni gjithçka me një spatula.

Jepini shije orizit duke shtuar po të njëjtat erëza si tek angjinarja, pra trumzë, kripë dhe piper të zi.

Lëreni tenxheren në zjarr derisa uji të jetë përtharë, por kini kujdes pasi orizi duhet të jetë kremoz.

Pasi të jetë ftohur pak mund ta shërbeni për të afërmit tuaj./AgroWeb.org