Supa është një nga recetat më të shijshme dhe të shëndetshme.

Ajo ka një shumëllojshmëri mënyrash përgatitjeje, sa çdo ditë mund të provoni diçka të re nëse dëshironi.

Përveç shijes së mirë, supat arrijnë dhe gjallërojnë organizmin në saj të vlerave shëndetësore që ka.

Me recetën e sotme AgroWeb.org ju sjell një kombinim mes traditës dhe modernes.

Në vend të përdorimit të makaronave apo orizit, siç jemi mësuar gjithmonë, ju sugjerojmë që të përdorni roshnicat.

Mësoni shkurt mënyrën e përgatitjes dhe shijojeni këtë supë të mrekullueshme.

Përbërësit

200g roshnica

Gjysmë pule

1 karotë

1 spec

1 degë selinoje

Lëngu i një kokrre limoni

Dy lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Për Roshnicat

Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.

Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.

Përzjejini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.

Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohet në kokrriza të vogla.

Më pas, vendosini roshnicat në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.

Ndërkohë vazhdoni me përgatitjen e recetës duke vënë mishin e pulës që të ziejë.

Lëngu i mishit të pulës është dhe përbërësit kryesor i kësaj pjate plot shije.

AgroWeb.org ju sugjeron që ndërkohë të përgatisni perimet duke i qëruar dhe prerë në copa të vogla.

Kur mishi i pulës të jetë zbutur hiqeni nga tenxherja dhe vendoseni në një pjatë.

Ndërkohë hidhni perimet për të zierë duke i spërkatur me pak kripë.

AgroWeb.org ju këshillon që nëse dëshironi që të kuptoni kur duhet të shtoni roshnicat për të zierë, provoni karotat.

Nëse ky perim është zbutur mjaftueshëm, atëherë mund të vazhdoni me zierjen e roshnicave.

Hidhni gjithashtu edhe vajin e ullirit që nevojitet dhe lërini të ziejnë.

Nga ana tjetër, filloni të ndani në fije mishin e pulës dhe shtojeni përsëri në tenxhere.

Shtoni piperin e zi sipas dëshirës dhe lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë.

Herë pas here përziejeni supën, kështu roshnicat nuk do të bien në fund të tenxheres dhe të ngjiten.

Nëse dëshironi mund t’i shtoni edhe pak qumësht për ta trashur lëngun e supës suaj pak më shumë.

Kur supa të ketë zierë mjaftueshëm, largojeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak e më pas shërbejeni duke spërkatur me majdanoz ose pak gjalpë të shkrirë./AgroWeb.org