Makaronat Fetuçine Alfredo janë ndër recetat më popullore të kulinarisë tradicionale të Romës dhe Toskanës në Itali.

Që prej vitit 1914, kjo recetë mban emrin e Alfredo Di Lelio, një shef kuzhine dhe pronar i një restoranti minimalist në Romë.

Nga Roma Me Dashuri – Historia e Recetës Që Marrosi Hollivudin

Sipas gojëdhënave, pas lindjes, gruaja e Alfredos humbi oreksin dhe ky i fundit i gatoi një ditë makarona me shumë gjalpë dhe djathë  Parmigiano-Reggiano, një recetë që ndezi shqisat e të shoqes, e vite më vonë, të të gjithë botës.

Alfredo e shtoi këtë pjatë në menunë e restorantit të tij  Alfredo alla Scrofa që është akoma  në  Romë.

Në vitin 1927, në restorantin e Alfredos u ulën Mary Pickford dhe Douglas Fairbanks, të konsideruar si pionerët e industrisë amerikane të filmave, pra Hollivudit.

Alfredo kishte tendencën t’i përziente makaronat me gjalpë dhe djathë në tryezën e klientëve, duke i mbledhur dhe rrotulluar me lugë dhe pirun.

Çifti u mahnit aq shumë nga shija spektakolare e pjatës, sa për shumë netë iu përgjërua Alfredos tua jepte recetën.

Receta u përdor në një prej restoranteve më ekskluzivë të Hollivudit ku drekonte edhe Merilin Monro apo Çarli Çaplin dhe u bë tepër e kërkuar.

Receta tradicionale e kësaj pjate ka tre përbërës: makaronat e sheshta dhe të trasha, gjalpë dhe djathë.

Atë mund ta përgatisni që sot në shtëpi.

Si Të Përgatisni Në Shtëpi Pastat Tradicionale Të Alfredos 

Përbërësit:

Një kuti makarona

250 gramë gjalpë pa kripë

250 gramë djathë parmixhan të grirë

Përgatitja:

Vendosni tenxheren me ujë dhe kripë në zjarr dhe kur të marrë valë ziejini makaronat për rreth 8 minuta, pra të mos jenë plotësisht të ziera.

Zgjidhni një tigan të thellë dhe hidhni gjalpin të ngrohet në temperaturë mesatare.

Kulloni makaronat por ruajeni ujin e tyre dhe hidhini në tigan me gjalpin e shkrirë.

Shtoni pak kripë sipas preferencës dhe përziejini makaronat me gjalpin.

Uleni temperaturën në një nivel të ulët dhe në makarona shtoni një grusht me djathin e grirë dhe një garuzhdë me ujin e makaronave duke i përzier vazhdimisht në mënyrë që përbërësit të shkrihen me njëri tjetrin.

Vazhdoni përzierjen duke shtuar djathë hera-herës dhe më pas shtoni edhe pak ujë makaronash deri sa të formohet një salcë e lëngshme dhe e trashë.

Shtoni kripë sipas dëshirës dhe servirini menjëherë./AgroWeb.org